23 shtator 2015 – Portali “DurresLajm” mësoi se, më 18 shtator 2015, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të mos pranojë ankesën e paraqitur nga firma “MANE/S” shpk me seli në Sarandë për tenderin e rehabilitimit të hapësirës së amfiteatrit Durrës, me fond limit 4. 002 347,50 lekë, zhvilluar më 24 korrik 2015 nga drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës.

DERI TE PROKURIMI

Më 11 gusht 2015 është publikuar në portalin elektronik të prokurimeve procedura e prokurimit “Kërkesë për propozime” me objekt: “Rehabilitimi i hapësirës së amfiteatrit Durrës”, me fond limit 4 002 347,50 lekë pa tvsh, zhvilluar më datë 24.08.2015 nga autoriteti kontraktues Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës (DRKK).

Në datën 27 gusht 2015, autoriteti kontraktues ka njoftuar operatorët ekonomikë pjesëmarrës, nëpërmjet portalit elektronik të prokurimeve, mbi rezultatet e vlerësimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave:

“Mane/S” shpk      3 777 777 lekë i skualifikuar;

“K.A.E.XH” shpk 3 946 832,4 lekë i kualifikuar.

PSE

Operatori ekonomik “Mane/S” shpk rezulton i skualifikuar me arsyen:

“Bazuar në dokumentet standarde të tenderit në pikën 2.3 kapaciteti teknik: f) Ofertuesi duhet të ketë në stafin e tij teknik një inxhinier ndërtimi, dy arkeologë, të cilët duhet të figurojnë në listëpagesën e shoqërisë gjatë gjithë periudhës dhjetor 2014-maj 2015. Për stafin teknik duhet të paraqiten kontratat individuale pune si dhe diploma përkatëse. Arkeologët e paraqitur në dokumentet e depozituara në këtë procedurë, arkeologët nuk figurojnë në listëpagesat e shoqërisë, por janë rishtazi me kontratë individuale pune. Si rrjedhojë refuzojmë kualifikimin e shoqërisë Mane/S shpk.”

FIRMA: ABSURDE KËRKESA PËR DY ARKEOLOGË  

Më 31 gusht 2015, “Mane/S” shpk ka paraqitur ankesë pranë DRKK Durrës, duke kundërshtuar skualifikimit e ofertës tij. Po më 31 gusht 2015 DRKK Durrës i kthen përgjigje “Mane/S” shpk, duke refuzuar ankesën.

Më 8 shtator 2015 firma nga Saranda “MANE/S” shpk. ka paraqitur ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik me të njëjtin objekt me ankesën e paraqitur në DRKK Durrës:

“Inxhinierët mbasi studiuan projektpreventivin panë se në preventiva nuk ka ndonjë zë punimesh arkeologjike, gjithashtu natyra e punimeve është prishja e punimeve të mëparshme. […] Kriteri i kërkuar nga ana e autoritetit kontraktues nuk ka lidhje me natyrën e punimeve të objektit në fjalë prandaj është i tepërt. Gjithashtu kërkesa në listëpagesa për dy arkeologë është absurde […] Ne kemi dy arkeologë me kontratë pune para tenderit dhe skualifikimi që nuk i kemi në listëpagesa dhjetor 2014-maj 2015 është i padrejtë dhe i pabazuar në ligj.[…] Kërkojmë ….shpallje fitues të shoqërisë sonë”.

TIRANA: DURRËSI KA TË DREJTË – DUHEN DY ARKEOLOGË

Më 16 shtator 2015 dhe autoriteti kontraktues ka dorëzuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik informacionin e kërkuar në lidhje me procedurën e prokurimit.

Më 18 shtator 2015 Komisioni i Prokurimit Publik vlerësoi se kriteret e veçanta janë kërkesa që autoriteti kontraktues i përcakton në përputhje dhe në përpjesëtim me kontratën objekt prokurimi. Këto kërkesa ndihmojnë autoritetin kontraktues në njohjen e kapaciteteve teknike të operatorit ekonomik konkurrues, në mënyrë që të krijohet bindja se ky i fundit do të mundësojë një kontratë të suksesshme. Në këtë rast, qëllimi është të provohet se një operator ekonomik konkurrent zotëron kapacitetin teknik profesional. Operatori ekonomik “MANE/S” shpk, në rastin konkret, nuk ka plotësuar kriterin sipas përcaktimeve të autoritetit kontraktues në dokumentet e tenderit, duke mos paraqitur në listëpagesat dhjetor 2014-maj 2015 dy arkeologë sipas kërkesave të autoritetit kontraktues. Rrjedhimisht, pretendimi i ankimuesit nuk qëndron. Gjithashtu, Komisioni sqaron se, nëse ankimuesi do të kishte pretendime mbi kriterin e sipërcituar, atëherë, referuar nenit 63, pika 1.1, të ligjit nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, në të cilin thuhet shprehimisht se: “Në rastin e ankesave për dokumentet e tenderit, operatorët ekonomikë mund të ankohen pranë autoritetit kontraktues brenda 7 ditëve nga data e publikimit të njoftimit të kontratës në faqen në internet të Agjencisë së Prokurimit Publik.”, ankimuesi mund të ishte ankuar pranë autoritetit kontraktues duke kërkuar modifikimin e tij. Prandaj Komisioni i Prokurimit Publik, njëzëri hodhi poshtë ankesën e sarandiotëve.

/th. m. DurresLajm/