Tiranë, 17 shtator-Nafta në tregun botëror ra në nivelin e ulët të dy viteve të fundit. Nafta bruto amerikane ra dje me rreth 1.1% në 91.2 dollarë për fuçi dhe tregtohet pranë nivelit më të ulët në 16 muajt e fundit, sipas agjencisë “Reuters”. Arsyet janë ngadalësimi i ekonomisë kineze, por edhe prodhimi i lartë global, që është më i madh se kërkesa. Kështu, nafta Brent e Londrës ka thelluar humbjet në sesionin e djeshëm dhe po tregtohet në nivelin më të ulët në 2 vitet e fundit, për shkak të të dhënave të dobëta mbi ekonominë kineze, që është konsumatori më i madh në botë i energjisë. Analistët paralajmërojnë për një situatë të vështirë në Kinë, pasi prodhimi në fabrika u rrit me hapin më të ngadaltë në 6 vitet e fundit. Nafta Brent e Londrës ra me 0.6% në 96.5 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga korriku i vitit 2012.
Tregu vendas
Në pikat e tregtimit të karburantit në Tiranë, 1 litër naftë u shit dje mesatarisht nga 188-189 lekë, ndërsa 1 litër benzinë 188-199 lekë. Pra, janë të njëjtat çmime prej disa vitesh (me luhatje të vogla). Rritja e tarifave të akcizës në janar 2014 dhe mungesa e konkurrencës ka stabilizuar në një nivel të lartë këto çmime, ndërsa dy kompanitë më të mëdha të tregtimit të karburanteve kundërshtojnë hetimin e Autoritetit të Konkurrencës (AK) në këtë treg. “Struktura e tregut të karburanteve në Shqipëri është e formës oligopolistike, ku një numër i vogël ndërmarrjesh rezultojnë të importojnë dhe tregtojnë karburant në territorin shqiptar”, ky është konkluzionin paraprak i hetimit të AK-së. Gjatë periudhës së vëzhguar janar 2010-janar 2014, sipas AK-së, rezulton se ndërmarrjet që dominojnë tregun me shumicë të karburanteve, aplikojnë çmime të njëjta ose me diferencë shumë të vogël nga njëra-tjetra, duke ndjekur të njëjtën trajektore të ritmit të uljes e rritjes së çmimeve dhe duke ndjekur ngushtësisht njëra-tjetrën.
Çmimet e bursave nuk reflektohen
Gjithashtu, sipas AK-së, ndërmarrjet nuk reflektojnë çmimet e blerjes në bursa, në rastin kur këto të fundit pësojnë rënie të ndjeshme duke i transferuar fitimet në llogaritë e tyre, kur në kushte konkurrenciale këto ulje çmimi duhet të transferoheshin në përfitime të konsumatorëve.
Autoriteti i Konkurrencës: Çmimet më të larta në Ballkan
Analiza e AK-së për zbatimin e çmimit të padrejtë të shitjes përfshin krahasimin e çmimeve të tregtimit për periudhën hetimore, analiza e kostove dhe fitimeve të ndërmarrjeve, çmimet rajonale të naftës e benzinës, si edhe marzhi bruto i fitimeve, ku rezulton se Shqipëria ka nivelet më të larta, përbëjnë shenja të kufizimit të konkurrencës. Sipas AK-së, janë vendosur çmime të padrejta të shitjes krahasuar me: Koston sipas zinxhirit të vlerës; nivelin rajonal të çmimeve. Sa i përket benchmarkut rajonal, sipas të dhënave të publikuara nga ana e Bankës Botërore, rezulton se, Shqipëria ka një çmim mesatar të shitjes së karburanteve më të lartë se Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Sllovenia dhe Bosnjë-Hercegovina. Strategjia për të mbajtur çmime të padrejta me pakicë dhe aplikimi i një sjelljeje të përbashkët nga ndërmarrjet dominuese në këtë treg, bazohet në faktin se këto janë të vetmet që kanë pasur një akses periodik mbi burimet e furnizimit (importet) dhe integrimi i këtyre ndërmarrjeve deri në nivelin e shitjes me pakicë bën që kontrolli të jetë në kohë reale.
Zamir Alushi





