DURRES, 12 korrik 2013 – Edhe pse fillimi i vitit ka qenë optimist për të ardhurat financiare në doganën e Durrësit, kjo nuk është reflektuar në muajin qeshor. Duke i’u referuar statistikave në raport me të njëjtën periudhë me një vit më parë, rezulton një ulje e të ardhurave me 15%, përgjatë muajit qershor në degën e doganës së portit më të madh të vendit. Janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në uljen e trendit të të ardhurave, por drejtori i doganës së Durrësit Jaçe Hysolli, rendit vetëm dy prej tyre, atë të rënies së numrit të emigrantëve të cilët kthehen në vendin tonë përmes portit, për të kaluar pushimet verore, si dhe rënia e importit të karburanteve.
“ Nëse i referohemi shifrave të muajit qershor, krahasur me të njëtin muaji të vitit të kaluar kemi një rënie të të ardhurave, çka ka ndikuar në mosrealizimin e planit mujor. Një impakt të veçantë në uljen e të ardhurave ka dhënë renia e importit të karburanteve, ku vetëm për muajin qershor kemi një renie prej 4 mijë ton karburant më pak. Ndërsa nga ana tjetër kemi një ulje me 20% të numrit të emigrantëve që kthehen në vendin tonë për të kaluar pushimet verore. Të dy këto faktorë mjaft të rëndësishëm, kanë dhënë impakt negativ në realizimin e planit, përgjatë këtij muaji”, tregon Hysolli.
Peshën më të madhe në realizimin e të ardhurave në doganën e Durrësit e zënë karburantet me 60 %. Ndaj rënia e importit me 4 mijë ton më pak, ka dhënë një impakt negativ në financat e doganës.
“Mendoi që mosrealizimi i të ardhurave nga importi i karburanteve ka ardhur edhe si pasojë e uljes së kthimit të emigrantëve në vendin tonë, duke bërë që fluksi i automjeteve të jetë më i ulët, për pasojë dhe konsumi i karburanteve bie. Gjithashtu çmimet e larta që kanë karburantet, ndikon në renien e qarkullimit të automejteve, e rrjedhimisht bie konsumi, çka reflektohet në uljen e importit”, shpjegon drejtori i doganës Jaçe Hysolli.
Por, nëse i referohemi 6-të mujorit të një viti më parë, me këtë 6-të mujor, dega e doganës së Durrësit sipas Hysollit, jo vetëm ka realizuar të ardhurat por i ka tejkaluar ato me 4% më shumë. Ndërkohë, ndryshe nga importet, eksportet vazhdojnë që të jenë pothuajse në të njëjtat nivele. Peshën kryesore të të ardhurave në eksportin e mallrave nëpërmjet portit të Durrësit, vijojnë ta mbajën mineralet.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





