Një reper kanadez, ka ndërruar jetë pasi ra nga një aeroplan teksa po xhironte klipin. Bëhet fjalë për Jon James McMurray, i cili po filmonte për një video të re muzikore në krahun e aeroplanit kur ra poshtë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur të shtunën në British Columbia. Mediat e huaja shkruajnë se 34-vjeçari McMurray mbante parashutë, por nuk pati kohë që ta tërhiqte sepse ishte mbërthyer në krahun e avionit për një kohë të gjatë.
Ndërkohë dëshmitarët në vendin e ngjarjes janë shprehur se në momentin kur u shkëput nga aeroplani ishte shumë afër tokës dhe Jon u përplas në tokë.
Menaxheri i tij, Ryan Desrochers ka thënë se reperi ishte përgatitur për këtë marifet për muaj dhe ishte trajnuar ‘intensivisht’.
“Akti i tij përfundimtar përfshinte kryerjen e një marifeti në aeroplan, ku ecte në krahun e mjetit fluturues. Ai ishte stërvitur intensivisht për këtë marifet, megjithatë kur Jon eci më tej në krahun e aeroplanit, Cessna shkoi në spirale në rënie, gjë të cilën piloti nuk mundi ta shmangte dhe të merrte kontrollin,”-u tha në një deklaratë nga ekipi i tij.
Ndërkohë policia lokale ka nisur hetimet për ngjarjen, për të kuptuar se si ndodhi e gjithë kjo.





