Sektori i transportit gjatë muajit shkurt ka reflektuar një rënie të volumit të mallrave dhe një rritje të pasagjerëve.
Volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, në muajin shkurt 2017 është 274 mijë tonë.
Krahasuar me shkurt 2016, ky tregues është ulur me 3,0%. Në Portin e Durrësit janë ngarkuar dhe shkarkuar 92,7% e mallrave të përpunuara në të gjitha portet e vendit.
Rënia është vijimësi pasi edhe gjatë vitit të kaluar, porti më i madh në vend uli volumin e përpunimit të mallrave. Në dhjetë vitet e fundit, përpunimi i mallrave në këtë port ka pasur luhatje në varësi edhe të përdorimit nga vendet fqinje si Maqedonia dhe Kosova.
Por edhe pse infrastruktura rrugore me Maqedoninë dhe Kosovën u përmirësua ndjeshëm dekadën e fundit, Porti i Durrësit nuk po mund të marrë rolin që i takon si Port Rajonal.
Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë (në ton/kilometër) është rritur 93,5%, krahasuar me shkurt 2016. Në periudhën dymujore, rritja është 62,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Volumi i mallrave të transportuara me ajër është rritur 7,7%, në krahasim me shkurt 2016. Në periudhën dymujore, volumi i mallrave të transportuara është rritur me 6,4%
Në transportin ajror operojnë 15 shoqëri fluturimi dhe janë kryer 1.554 fluturime ajrore, duke shënuar një rritje me 3,6%, krahasuar me muajin shkurt 2016.
Në shkurt 2017, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore është rritur 10,2%.
Transporti ajror i pasagjerëve zë peshën më të madhe me 76,5%. Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është 43.176 persona, krahasuar me shkurt 2016, ky tregues është rritur 5,7%.
Që pas krizës së vitit 2008, sektori i transportit dhe magazinimi ka ardhur me ulje të vazhdueshme. /Monitor/