Buxhetet e marketingut janë të parat që kompanitë shkurtojnë në kohë krize. Dhe sa më shumë që zgjat kriza, aq më shumë përdoren dhe gërshërët. E njëjta gjë po ndodh me sipërmarrjet në Shqipëri. Për të disatin vit radhazi, bankat dhe telekomunikacionet, dy grupet reklamuese më të mëdha në vend, po ulin shpenzimet e marketingut, (në 2014-n rënia për këto dy grupe ishte rreth 4%). Dhe më të prekurat nga kjo sjellje janë mediat, si e shkruar ashtu dhe elektronike, të cilat reklamat i kanë ushqimin e tyre kryesor. Për vitin 2014, xhiro e tre televizioneve kryesore në vend (Top Channel, Klan, Vizion Plus) ra me 8%. Të dhënat parapake nga monitorimet e numrit të spoteve tregojnë se kjo tendencë ka vijuar edhe në 2015-n, madje me ritme të përkeqësuara, me rënie dyshifrore. Me pak përjashtime, janë prekur dhe televizionet informative, që ishin në lulëzim deri pak kohë më parë.

Media e shkruar, e gjendur prej disa vitesh mes dy zjarresh (konkurrencën nga interneti dhe uljen e buxheteve të reklamuesve) po përpiqet me çdo kusht të mbijetojë. Reklamat jashtë dyerve (outdoor) kanë njohur dhe rënien më të thellë, duke u prekur më shumë nga shkurtimi i buxheteve të marketingut. I vetmi segment që po kalon ditë të mira është ai i reklamave online, që po i gëzohet rritjes së numrit të përdoruesve online dhe po përfiton duke joshur klientët- reklamuesit, që janë të dëshpëruar të maksimizojnë koston e arritjes së një klienti potencial – me tarifat që ende mbeten të ulëta. Edhe radiot e mëdha kanë arritur të sigurojnë më shumë të ardhura, si një mjet më i lirë reklamimi.

Bilancet e 2014-s tregojnë rënie të ndjeshme të fitimeve të televizioneve, kompanive të publicitetit dhe medias së shkruar. Aktorët e tregut pranojnë se marzhet e fitimit janë tkurrur dhe teksa shpenzimet për reklama janë reduktuar nga biznesit, ata nuk presin ditë më të mira, të paktën në afatin e shkurtër. Mungesa e hyrjeve të sipërmarrjeve të mëdha, që do të ishin reklamues potencialë, i bën ata dhe më pesimistë.

Tregu i reklamave bie 5% në 2014

Në total, tregu i reklamave në vend në vitin 2014 vlerësohet të ketë arritur në rreth 37 milionë euro, nga rreth 39 milionë euro që ishte vitin e mëparshëm, me një rënie prej rreth 5%, i udhëhequr nga tkurrja e televizioneve, shtypit të shkruar dhe outdoor. Tregu vlerësohet të jetë tkurrur më tej në 2015-n, me të paktën 10%.

“Monitor” e ka bërë vlerësimin e tregut të reklamave për 2014, duke u nisur nga tregues direkt të matur nga disa drejtime:

-të ardhurat e kategorive kryesore të tij, televizioneve, shtypit të shkruar, outdoor dhe online, të matura në pjesën kryesore nga xhiro që aktorët kryesorë kanë deklaruar në bilancet e tyre.

-shpenzimet e kompanive kryesore për marketing, kryesisht telekomunikacione, banka, produktet që lëvizin shpejt nga rafti (FMCG), sipas raportimeve të detajuara në bilancet përkatëse.

-monitorimet në bazë të numrit të spoteve të transmetuara në mediat televizive dhe reklamave në shtypin e shkruar, sipas të dhënave të siguruara nga kompania monitoruese Idra Media, kanë shërbyer për të vlerësuar tendencën për vitin 2015.

Televizioni

-Nga të ardhurat e deklaruara në bilanc nga televizionet kryesore në vend, vlerësohet se të ardhurat e televizioneve ishin 27-28 milionë euro, në vitin 2014, me një rënie prej rreth 7% me bazë vjetore. Kjo tkurrje erdhi pasi në vitin 2013 ishte shënuar një rritje prej 21%, e ndihmuar dhe nga fakti që 2013-a ishte një vit zgjedhor, e shoqëruar me shpenzime të partive politike për spote publicitare.

Shtypi i shkruar

-Të ardhurat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 3 milionë euro në vitin 2014, me një rënie vjetore prej rreth 9%, në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga mediat kryesore në vend dhe monitorimeve nga Idra Media.

Outdoor

-Tregu i outdoor vlerësohet në rreth 3.3 milionë euro, i llogaritur në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga kompanitë kryesore që veprojnë në këtë kategori. Ky segment ka njohur dhe rënien më të fortë të të ardhurave, me 12%.

Internet

-Reklamat në faqet kryesore të internetit në vend vlerësohen në rritje, ndonëse mbeten ende të ulëta, në 1-1.5 milionë euro, sipas të dhënave nga të ardhurat e portaleve kryesore në vend.

Radio

–Radio vlerësohet të tërheqë 0.9-1.2 milionë euro në vit, sipas të ardhurave të deklaruara nga radiot më të mëdha në vend, me një rritje prej rreth 10% në 2014. /Monitor