5 gusht 2015 – “Bienalja muzikore 2015” paraditen e së martës është zhvendosur pa zhurmë mediatike në mjediset e Institutit të Minorenëve, që funksionon prej 6 vjetësh në qytetin e Kavajës.
Violinistët Florian dhe Daniel Vlashi, babë e bir, kanë interpretuar për më shumë se 30 minuta vepra të autorëve të njohur, mjaft tërheqës edhe për fëmijët dhe të rinjtë.
“Fillimisht luajtëm Sonatën nr. 2 për dy violina nga Leclair dhe më pas edhe disa duete nga Bartok”, tha për “Dyrrah”, ideatori i Bienales muzikore Florian Vlashi, duke shtuar se rreth 50 minorenë kanë ndjekur me shumë vëmendje koncertin e tyre.
Danieli, violinisti 18-vjeçar, tha se është ndjerë i emocionuar gjatë gjithë koncertit, dhe më pas edhe nga disa histori të trishtuara që ka dëgjuar nga bashkëmoshatarët e tij.
Pas koncertit, artistët kanë biseduar së bashku me djemtë e moshave 14-18 vjeç, të cilët kryejnë dënimet për krime të ndryshme.
Ata u kanë treguar mysafirëve punimet e tyre në pikturë, ndërsa iu kanë dhuruar edhe një tablo dy artistëve që u dhanë momente qetësie dhe kënaqësie.
Bienalja muzikore 2015 ka programuar edhe një koncert në spitalin rajonal të qytetit për personelin mjekësor dhe pacientët e këtij institucioni shëndetësor.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/