6 korrik 2015 – Festivali “Netët e muzikës klasike” që do të zhvillohet nga data 1-8 gusht të këtij viti në qytetin e Durrësit, i është kushtuar Spanjës dhe shkak për këtë është bërë një anije e mbytur në brigjet e tij.
Bienalja artistike që ka mbërritur në edicionin e 7-të të saj nuk do të jetë as më shumë e as më pak se sa “një udhëtim muzikor në vendin e Servantesit”, siç thotë Florian Vlashi, organizatori dhe violinisti durrsak që jeton dhe punon që prej 23 vjetësh në Korunja, buzë oqeanit Atlantik.
“Para disa kohësh teksa lexoja një gazetë spanjolle pashë një lajm që më bëri të mendohem”, tregon violinisti i mirënjohur.
Në gjiun e Durrësit, në afërsi të Kepit të Palit ishte zbuluar një anije 1700-vjeçare e mbytur që transportonte drejt Durrësit mallra spanjolle me shumë vlerë si verëra e vajra, që dëshmojnë shijen e hollë të aristokratëve të kohës.
Violinisti 52-vjeçar tregon se, bashkë me lidhjet e Skënderbeut me fisnikët spanjollë, legjendat për qëndrimin e Servantesit në Ulqin apo përkthimit të “Don Kishotit” nga Fan Noli, edhe dëshmia për anijen e lashtë të zbuluar pranë brigjeve të qytetit të lindjes e kanë bindur se ka ardhur koha për të ndaluar më gjatë edhe në prezantimin e muzikës spanjolle në Durrës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/