Nxënësja pianiste Laura Sulaj u shpall mbrëmjen e kaluar fituese e konkursit “Nata e Yjeve të Rinj”, që u zhvillua në Durrës në kuadër të ditës së dytë të Bienales “Netët e Muzikës Klasike”.
12 nxënës të degës së pianos dhe violinës kanë konkuruar dje, në një ditë kushtuar veprës muzikore të kompozitorit Feim Ibrahimi (1935 – 1997). Fëmijë dhe të rinj të pasionuar, nxënës të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës kanë interpretuar pjesë nga autorë të ndryshëm vendas dhe të huaj, dhe sipas kushtit të konkursit edhe një nga pjesët e muzikës së dhomës shkruar nga Feim Ibrahimi, i cili u përkujtua kësisoj në ditën e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta.
Juria e përbërë nga pedagogët dhe instrumentistët Edmond Buharaja, Rediana Lukaçi, Xheni Turku dhe Orges Mema vlerësuan përgatitjen e tetë nxënësve të pianos dhe katër të tjerë të degës së violinës.
Në ceremoninë e mbrëmjes, duke i dorëzuar çmimin nxënëses fituese, drejtuesi artistik i Bienales, Florian Vlashi, tha se vepra që u bë simbol i këtij çmimi është punuar nga skulptori Kujtim Turkeshi, një tjetër ish-nxënës i suksesshëm i shkollës artistike të Durrësit. Nxënësja pianiste Laura Sulaj do të jetë e ftuar në Spanjë nga bashkëshortët muzikantë Florian dhe Rediana Vlashi, të cilët janë njëkohësisht edhe financuesit e këtij çmimi që jepet prej disa edicionesh të Bienales së Durrësit.
Gjatë ceremonisë u vlerësuan me çmimin e dytë dhe të tretë edhe nxënëset paniste Klaudia Gjini dhe Era Kume.
G.K.