Tiranë, 22 mars 2014– Faktin që ka pasur një të shkuar plot peripeci dhe përplasje me Policinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rigels Doko nuk ka si ta fshehë. Kjo dhe për një vërtetë, se mjafton të klikosh emrin e tij në Google dhe do të listohen sitet që e përmendin emrin e tij për precedentë kriminalë në vitet e adoleshencës. Tashmë si një i penduar, dëshira e tij e vetme është rikthimi në Amerikë, pranë djalit të tij dhe familjes, me të cilët u vendos në Florida në vitin 1997. Aty fillimisht bëri punë të ndryshme për të fituar para, por më pas, për t’iu përshtatur ambientit të egër që gjeti aty, u bë pjesë e disa bandave për disa vite me radhë. Në momentin kur vendosi që jeta e tij të merrte një kthesë të mirë pasi ishte bërë baba, problemet me dokumentet e detyruan që të kthehet përsëri në Shqipëri, duke lënë djalin e tij të vogël, i cili tashmë jeton me të ëmën, nga e cila Rigelsi është divorcuar. Jeta e tij në Tiranë, para hyrjes në “Big Brother”, i dedikohet faljes në xhami, ndërkohë që ka hyrë për të fituar paratë që do t’i duhen për t’u rikthyer në SHBA. Le të shohim nëse e shkuara e tij do të jetë në disfavor të vazhdimit të jetës në Amerikë.

 

Intervista me ish-bashkëshorten e tij ruse

Edhe pse 28 vjeç, me jetën që ka bërë deri tani, ka çfarë të tregojë. Është komentuar si djali i ekstremeve, që nga krimet si pjesë e bandave të Amerikës, për t’iu dorëzuar një tjetër jete larg veseve duke u falur në xhami, para hyrjes në “Big Brother”. Rigels Doko është banori i vetëm në “BB7”, që dëshmoi se në jetë ka prekur fundin. Martesa në SHBA me rusen Anastasia Akinchenko e bën dhe më interesante historinë e tij. Edhe pse tashmë të divorcuar, ajo udhëtoi drejt Tiranës bashkë me djalin e tyre Alex, të cilin Rigelsi e takoi për herë të parë pas tri vitesh. Takimi i tyre i ftohtë dhe gjithçka për martesën 4-vjeçare, e tregon ish-gruaja e tij në këtë intervistë për gazetën “Panorama”.

 

Fundjavën e kaluar udhëtuat drejt Tiranës për të takuar ish-burrin tuaj në një shoë televiziv. Ç’mund të na thuash për historinë tuaj?

Unë quhem Anastasia Akinchenko, kam lindur në Khabarovsk të Rusisë dhe tashmë jetoj në Orlando të Floridas (SHBA). Ajo çfarë kemi jetuar unë dhe Rigelsi, është një histori me të vërtetë e gjatë, aq sa nuk di nga t’ia nis për të treguar. U martuam në dhjetor të vitit 2007, jetuam bashkë deri në tetor të vitit 2011, vit kur hapa çështjen e divorcit. Ne u ndamë ligjërisht në korrik të vitit 2012. Gjithçka që mund t’ju them, është se ne ishim të dy të rinj dhe shumë ambiciozë kur u njohëm. Unë jam vetëm 16 ditë me e madhe nga ai. Edhe pse dashuroheshim, ishin shumë faktorë që ndikuan për keq në martesën tonë.

 

Çfarë pengesash kishit për të vazhduar jetën si çift?

Si fillim ishte shumë e vështirë për prindërit e tij që të më pranonin mua si nusen e djalit të tyre që në fillim të lidhjes, për sa i përket origjinës sime ruse. Ata e kishin kusht për djalin që të martohej në mënyrë tradicionale, pra me një vajzë shqiptare. Ky vendim shkaktoi problem mes meje dhe nënës së tij. Së dyti, fakti që lidhja jonë u konsolidua në një kohë shumë të shkurtër, bëri që në t’u dilnim kundër prindërve të tij, gjë që nuk ishte aspak e lehtë për ne të dy. Por, për ironi të fatit, tashmë që unë e Rigelsi jemi ndarë, ata kanë ndryshuar mendim për mua. Marrëdhënia ime me familjarët e tij në Amerikë është rregulluar mrekullisht, ndihemi si një familje e vetme dhe e kemi pranuar njëri-tjetrin.

 

Pohuat që vendosët të martoheshit në një kohë shumë të shkurtër. Si u njohët dhe për sa kohë e lidhët martesën?

Ne u takuam me Rigelsin në prill të vitit 2007 në një klub nate dhe për dy muaj ishim të lidhur. Në muajin e katërt të njohjes sonë, unë ngela shtatzënë me djalin tonë, në muajin e gjashtë ne u martuam në fshehtësi të plotë, një vendim që praktikisht ishte një befasi për familjen e Rigelsit. Ky vendim mund të konsiderohej dhe një telash më shumë për ta, pasi në atë kohë ai ishte duke vuajtur masën e lirimit me kusht nga burgu, pas një plagosjeje që kishte bërë gjatë një përleshjeje bandash.

 

Pra, ishe në dijeni të faktit që ishte një djalë problematik dhe vendose të martoheshe me të. Çfarë të tërhoqi tek ai?

Siç e thashë, ne u takuam në një klub nate dhe ishte dashuri me shikim të parë. Në atë kohë kur u takuam, unë isha punonjëse e thjeshtë në një hotel, ndërsa aktualisht punoj në zyrën e avokatëve, si asistente ligjore në Orlando (Florida). Në ramë në dashuri me njëri-tjerin dhe nuk donim t’ia dinim për atë çfarë mendonin të tjerët për lidhjen tonë. Kështu ishte gjendja në të cilën unë isha përfshirë, pra e dashuroja Rigelsin pa e ditur pse.

 

E, pas katër vitesh martesë, ti i kërkovë divorcin. Mori fund dashuria?

Jo. E para vendosa pasi kuptova se kishim këndvështrime të ndryshme për jetën. Unë gjithashtu fajësoj miqtë e tij, të cilët në atë kohë kishin ndikim të keq te Rigelsi. Dua të theksoj se kishim probleme të mëdha komunikimi mes nesh. Ishte moment delikat për mua, pasi unë, e ardhur nga Rusia, ndieja që më mungonte shumë familja. Kisha probleme me dokumentet e qëndrimit në SHBA dhe nuk mund të udhëtoja t’i takoja ata. Nga ana tjetër, nuk kuptohesha nga Rigelsi, e ndoshta isha duke kërkuar shumë në këtë pjesë, e ai nuk mundej të ofronte më shumë. Por di të them që ai kishte një ego të fortë, që nuk mund ta përballoja, e aq më tepër të shkelja mbi veten.

 

Ai e ka pohuar dhe vetë që ka pasur probleme me ligjin në Amerikë. Ke sakrifikuar për ta kthyer në normalitet?

Patjetër. Kur ai ra në burg për problemin e emigracionit, unë e ndihmova për të mbledhur gjithë dokumentacionin që duhej për t’u paraqitur në Gjykatë, kontaktova me personat e duhur, si dhe shita makinën time për të ndihmuar prindërit e tij që të mund të paguanin avokatët që kishin marrë përsipër këtë çështje. Si dhe i kam folur hapur, për ta shkëputur nga shoqëria e keqe që kishte.

 

Sa e rrezikshme ishte jeta jote në krah të Rigelsit? Ishte dhe kjo një arsye?

Jo, aspak. Kur u takova me të, Gjykata kishte lëshuar masën lirim me kusht për “çështjen e goditjes me thikë”. T’ju them të drejtën, nuk i bëra shumë pyetje në lidhje me këto histori. Di të them që ai kishte një të kaluar kriminale para se të njihej me mua, kur ishte bërë pjesë e bandave. Bëmat e tij i mësova të gjitha vetëm kur më duhej të përgatisja dokumentat për vendqëndrimin e tij në SHBA, por sërish mund të them se të gjitha këto kishin ndodhur para se të martohej me mua. Për sa u përket shokëve, i kam takuar dhe mund të them se ishin “crazy” në të gjitha kuptimet. Por mua më respektonin, edhe për faktin se e kishin frikë Rigelsin.

 

Në “Big Brother”, ai u ka treguar banorëve se në periudhën më të errët të jetës është dorëzuar duke qarë si fëmijë, sidomos kur ti i kërkove divorcin. E ke braktisur kështu në momentet e tij më të vështira?

Divorci nuk ishte një vendim i lehtë për mua. Ndonjëherë kur jeta nuk të jep zgjidhje të tjera, na mbetet vetëm të bëhemi më të fortë për të marrë vendimet e duhura. Kjo zgjedhje që bëra, ishte mbi ndjenjat e mia dhe të vetë Rigelsit, pra lashë zemrën mënjanë dhe vura në plan të parë logjikën. Jam e sigurt se ai edhe sot e kësaj dite thotë me vete “ajo më tradhtoi”, por unë sërish mendoj se divorci ishte një vendim i mirë për të dy ne.  Ne nuk e respektuam dashurinë tonë dhe Zoti na ndëshkoi më vonë. Deri tani kemi marrë mësimin që meritonim nga jeta, por shpresoj për një të ardhme më të mirë.

 

Pavarësisht divorcit, e konsideron Rigelsin vërtet një ish? Do dëshiroje një rikthim?

Sigurisht, e dua Rigelsin ende. Ai është babai i djalit tim, Alex dhe unë gjithmonë do e dua. Po ashtu, edhe Rigelsi thellë brenda vetes unë e di se më do shumë, edhe pse ka të ngjarë që ta mohojë këtë fakt.  Vetëm jeta mund të na tregojë nëse ne mund të jemi bashkë sërish. Ne ndoshta e dëshirojmë të njëjtën gjë, por rrethanat janë ato që do vendosin. Shpresa vdes e fundit për mua e kurrë nuk do ndalem duke shpresuar më të mirën për ne të dy.

 

Në takimin tuaj në “Big Brother” nuk shkëmbyet asnjë fjalë. U duk se ishte ai që ju neglizhoi, edhe pse ju e kishit respektuar me ardhjen tuaj…

 

Ai takim ishte pjesë e shoë-t  dhe, si i tillë, nuk pati privatësi për ne të dy. Ideja ishte për realizimin e ritakimit të përmallshëm mes tij dhe djalit tonë, Alex, pas tri vitesh. Ishte takim i tyre dhe unë nuk doja t’i shkëpusja. Por jam e sigurt që ne të dy do të flasim pas përfundimit të “Big Brother”.

 

Si u ndjeve në ato momente, të kishte marrë malli për Rigelsin?

Ndjeva lumturi kur u përqafuam dhe, duke parë atë tek fliste me djalin, kjo më solli shumë gëzim në zemër. Doja të qaja, por i mbajta lotët deri sa mbërrita në dhomën e hotelit, ku isha akomoduar në Tiranë dhe ku mund të qaja në vetmi. E natyrisht më mungon më shumë pas atij takimi.

 

Tashmë ti po e rrit e vetme djalin tuaj në Amerikë. Sa e vështirë është për ty?

Është shumë e vështirë, edhe për faktin se djalin e merr shumë malli për të atin, dhe kërkon ta ketë pranë. Paralelisht unë po punoj për një jetë sa më të mirë për të, dhe po ashtu për karrierën time. Por jeta s’është e thjeshtë për asnjë nga ne. Më mbetet vetëm të bëj më të mirën, të gëzoj çdo moment të jetës, pasi s’e di ç’na pret nesër.

 

/gazeta “Panorama”/