Tiranë, 26 prill 2014 – Shumë fanse të formatit “Big Brother 7” do të dëshironin që Enkelejd Mezini të kishte qenë “single”, se ndoshta do të mund të luante më shumë me vajzat e shtëpisë. Lojtari më figurant i “Big Brother 7” ka statusin “i martuar”, ndaj  në këtë show ka zgjedhur të tjera strategji për të dominuar. Gjithsesi, bashkëshortja e tij amerikane, Suzanne Cuomo, pohon se në lojë tolerohen dhe intimitetet me vajza të tjera, vetëm nëse ato bëhen për show. Sipas saj, televizioni është një teatër në vetvete dhe, asgjë që do të shihte aty, nuk do ia trazonte seriozisht ujërat e jetës. Pas një lidhjeje 7-vjeçare me Enkelejdin, ajo tregon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për martesën në distancë me një djalë shqiptar dhe planet për të sjellë në jetë një fëmijë.

Bashkëshorti juaj ka hyrë në një show televiziv në Tiranë. Sa përputhen tashmë realitetet tuaja, ndërkohë që ti jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Unë realisht nuk kuptoj shumë se çfarë thuhet e bisedohet në atë shtëpi, pasi nuk flas shqip. Por ajo çfarë mund të shoh nga ekrani, më bën të ndihem krenare për Enkelejdin. Mendoj se është një xhentëllmen i vërtetë në sjellje me të gjithë banorët e tjerë dhe personaliteti i tij shkëlqen.

Të mungon këto javë? A ka kuptim kjo martesë në distancë për ty?

Unë s‘mund ta përshkruaj dot me fjalë se sa shumë më mungon. Zgjohem çdo mëngjes duke qarë, sepse gjëja e parë që bëja sa hapja sytë, ishte të telefonoja Enkelejdin. Tashmë unë s’mund ta bëj dot këtë telefonatë, ndërkohë që ai është izoluar në atë show. E dashuroj vërtet shumë. Kemi plot shtatë vite të lidhur bashkë dhe them se tashmë s’mund të jetojmë dot pa njëri-tjetrin. Kemi kaluar kohë pranë njëri-tjetrit në Itali, ku dhe u njohëm, si dhe po ashtu në Greqi, ku ai jeton që fëmijë bashkë me dy prindërit dhe vëllain e tij.

/gazeta “Panorama”/