Për ish-të përndjekurit që janë gjallë shumë shpejt do të përfundojë dhënia e këstit të pestë, ndërsa për këstin e gjashtë fondi do shpërndahet brenda vitit. Për sa i përket trashëgimtarëve, ata duhet të presin. Kështu shprehet Bilal Kola, kreu i Institutit për Integrimin e ish të Përndjekurve Politik në një intervistë për Report TV.
Ai thotë se procesi për dëmshpërblimin e ish të dënuarve që janë gjallë po ecën me ritme të mira dhe mund të përfundojë brenda 3 viteve, ndërsa për trashëgimtarët procesi mund të zgjasë 8-10 vite.
Z. Kola, ka rreth 1 vit e gjysmë që qeveria ka ndryshuar ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politik, ku kategoritë parësore janë ata ish-të dënuar që janë gjallë. A mund të na thoni sa ka ecur ky proces dhe sa ish-të përndjekur janë dëmshpërblyer?
Ky ligj ka pasur si fokusin së tij parësor dhënien e përparësisë ish-të përndjekurve politik që janë gjallë. Kjo kategori ndahet në disa nënkategori dhe prioritet marrin gratë, burrat mbi 75 vjeç, të sëmurët mbi 75 vjeç dhe trashëgimtarët minoren. Po ta shohësh nga fokusi dhe qëllimi që ka pasur ligji, mund të thuhet se objektivi është arritur. Kur ligji u miratua për herë të parë, ishin marrë vetëm 2 këste deri në vitin 2014, ndërsa tani janë marrë 5 këste. Që në fund të vitit të kaluar rreth 1000 ish-të përndjekur që janë gjallë kanë marrë këstin e pestë. Ndërkohë me buxhetin e ri të miratuar këtë vit, vijon të shpërndahet kësti i pestë. Shpërndarja pothuajse e 3 kësteve të tjera tregon qartë se fokusi i ligjit ka funksionuar.
A ka një numër se sa ish-të përndjekur kanë marrë këstin e pestë dhe kësti i gjashtë a do të fillojë të shpërndahet brenda këtij vitit?
Numri i të gjallëve varjon diku rreth 2300 persona. Prej tyre në fund të 2015-s, rezulton të kenë marrë këstin rreth 1100. Ndërsa për pjesën tjetër po vijon të shpërndahet kësti i pestë dhe besoj se do mbyllet shumë shpejt. Dua të theksoj se komuniteti nuk është i kënaqur me ritmet e shpërndarjes, qoftë më këstin e pestë, por edhe për këstet e tjera. Pasi kemi një mungesë angazhimi për shkak të burokracive.
Po thoni që ka ngecur procesi i dëmshpërblimit?
Procesi nuk ka ngecur, por duhet harmonizuar me Institutit e të Përndjekurve. U bë një kohë e gjatë që nuk ka koordinim midis drejtorisë së dëmshpërblimeve pranë Ministrisë së Financës me institutin tonë. Nga pikëpamje politike procesi është i qartë, por nga ana administrative ka disa probleme.
Po kësti i gjashtë do të nisë shpërndarja këtë vit?
Ajo që mund të them se me fondin e alokuar nga buxheti i shtetit, është e sigurt që kësti i gjashtë do të shpërndahet brenda 2016-s. Fondi 70% e 2 miliardë lekëve që ka miratuar qeveria, mjafton për ta shpërndarë brenda këtij viti këstin e gjashtë për të gjithë ish-të përndjekurit që futen te kategoritë parësore.
Le të flasim pak për trashëgimtarët. Ashtu siç e thatë dhe ju 70% e fondit që ka miratuar qeveria shkon për ish të dënuarit që janë gjallë. Po ky 30% që ngelet për trashgmitarët si do shpërndahet? Ka shumë trashëgimtarë që nuk kanë marrë asnjë këst, disa të tjerë kanë marrë një, ndërsa një pjesë kanë marrë dy këste. Si do bëhet ndarja e parave për trashëgimtarët?
Sa i përket trashëgimtarëve duhet të jemi të vetëdijshëm për një situatë, e cila nga pikëpamja e kërkesave, trashëgimtarët përbëjnë rreth 80% të përfituesve, ndërkohë që nga pikëpamja e fondit përbëjnë vetëm 30%.
Pra për 80% të ish të përndjekurve të cilët janë trashëgimtarë shkon vetëm 30% e fondit që miraton qeveria. Trashëgimtarët nuk janë kategori parësore. Ritmet dhe dinamikat e shpërndarjes për trashëgimtarët do të jenë shumë më të ngadalta ne raport me ata që janë gjallë. Kjo qartazi shikohet se aktualisht janë duke u shpërndarë kësti i parë dhe i dytë, në varësi të dosjeve, por nuk ka filluar të shpërndahet kësti i tretë derisa të jepen dy këste për të gjithë trashëgimtarët.
Pra ky është një lloj kriteri që do jepen kësti i parë dhe i dytë për ata trashëgimtarë që nuk e kanë marrë ende, pastaj do fillojë shpërndarja e këstit të tretë?
Për të gjitha ato dosje që janë miratuar nga Ministria e Drejtësisë do veprohet në këtë mënyrë, pastaj do fillojë shpërndarja e këstit të tretë.
Po për dosjet që nuk janë miratuar ende nga Ministria e Drejtësisë, si do veprohet?
Në Ministrinë e Drejtësie janë rreth jo më pak se 3500 dosje të personave që janë përfitues me gjysmën e shumës që përfiton një ish i burgosur, pra gjysmën e 2 mijë lekë të reja. Gjysmën e kësaj shume e përfiton një ish i internuar në tela me gjemba. Internimi në tela me gjemba korrespondon me një afat të caktuar kohor, 1945-1954. Këto dosje ende nuk janë miratuar nga Ministria e Drejtësisë dhe për mendimin tim nuk janë miratuar për një handikap ligjor.
Ne si institut kemi përcjellë një projektligj pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale për të dhënë një zgjidhje përfundimtare. I vetmi dokumentacion që duhet të provojë këta që janë persona të internuar në tela me gjemba, është statusi i tyre. Statusi që është finalizuar nga 3 institucione, nga Ministria e Brendshme, nga Ministria e Drejtësisë dhe nga Instituti i të Përndjekurve Politik dhe ky status është finalizuar përgjatë vitit 1993-1995.
Ky dokument duhet konsideruar si dokument fundor dhe për rrjedhojë përfiton dëmshpërblim prej 10 mijë lekë të vjetra dëmshpërblim.
Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politik ka nisur prej vitesh. Në gjykimin tuaj kur pritet të përfundojë ky proces. Edhe sa vite duhet të presin ish-të përndjekurit që janë gjallë dhe trashëgimtarët për të marrë të gjitha këstet?
Nëse do ecim me këto ritme, që ka parapërcaktuar kjo qeveri, ajo që ne parashohim është se procesi për të gjallë mund të dojë diku te tre vjet për të përfunduar. Ndërsa procesi i dëmshpërblimit për trashëgimtarët do të kërkojë një afat më të gjatë. Nisur nga fakti që ligji aktual thotë që fondet e alokuara nga buxheti i shtetit, pasi të mbarojnë të gjallë, i kalojnë trashëgimtarët. Gjykoj se nëse do jetë me këto ritme, që për mendimin tim janë të ngadalta, mendoj se do marrë diku te 8-10 vite për t’u dëmshpërblyer të gjithë ish-të përndjekurit politik.
Trashëgimtarët
“Ritmet dhe dinamikat e shpërndarjes për trashëgimtarët do të jenë shumë më të ngadalta ne raport me ata që janë gjallë. Kjo qartazi shikohet se aktualisht janë duke u shpërndarë kësti i parë dhe i dytë, në varësi të dosjeve”
Afatet
Nëse do ecim me këto ritme, që ka parapërcaktuar kjo qeveria, ajo që ne parashohim është se procesi për të gjallë mund të dojë diku te tre vjet për të përfunduar. Ndërsa procesi i dëmshpërblimit për trashëgimtarët do të kërkojë një afat më të gjatë
Të internuarit
I vetmi dokumentacion që duhet të provojë këta që janë persona të internuar në tela me gjemba, është statusi i tyre. Statusi që është finalizuar nga 3 institucione, nga Ministria e Brendshme, nga Ministria e Drejtësisë dhe nga Instituti i të Përndjekurve Politik
Intervistë marrë nga “Shqptarja.com”





