Pasoja të rënda ka lënë pas tërmeti i frikshëm i 21 shtatorit, që nxori në rrugë të madh e të vogël në qytetin e Durrësit dhe rrethinat e tij. Bilanci i dëmeve në banesa dhe biznese është rënduar, ndërkohë grupet e vlerësimit janë ende në terren për të llogaritur dëmet në çdo banesë të prekur.
82 banesa dhe një pallat i pabanueshëm, si dhe 111 banesa të dëmtuara rëndë janë dëmet e shkaktuara në Durrës dhe njësitë administrative nga tërmeti i së shtunës. Ndërkohë lista e banesave me dëmtime më të lehta është më e gjatë. Shifrat i bën të ditura për "DurrësLajm", burime zyrtare nga bashkia Durrës.
Në zonën e plazhit, në sektorin “Iliria” një pallat shumëkatësh i vitit 2010 u shpall një ditë më parë i pabanueshëm dhe iu vunë shiritat bllokues, pasi ka dëmtime të shumta strukturore.
Gjeografia e shpërndarjes së shtëpive të pabanueshme është e përqendruar kryesisht në 3 njësi administrative Manëz, Sukth dhe Katund i ri me respektivisht 27, 24 dhe 19 shtëpi. Dëme janë regjistruar edhe në Rrashbull ku janë 13 shtëpi të dëmtuara dhe në Ishëm 7 shtëpi.
Në terren janë 16 grupe vlerësimi në Durrës dhe 5 njësitë administrative, në përbërjen e secilit është një inxhinier ndërtimi. Këto grupe po bëjnë vlerësimin në çdo banesë të prekur nga tërmeti për të dalë më pas me një faturë përfundimtare të dëmeve në banesa e biznese.
Në një kohë që Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi një fond prej 10 milionë lekësh për dëmet nga tërmeti, ndërsa Këshilli Bashkiak i Tiranës dhuroi 20 milionë lekë, nuk dihet ende një vlerë e përafërt e dëmit në të gjithë bashkinë.
Familjet e dëmtuara, një pjesë janë sistemuar tek të afërmit, ndërsa një pjesë tek Kavalishenca e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ku institucionet shtetërore dhe kompanitë private kanë dhuruar pako me ndihma ushqimore për t’u ardhur në ndihmë.
Ndërkohë, nëntoka e Durrësit nuk po gjen ende qetësi. Sizmiologët kanë paralajmëruar pasgoditje të shumta që do të shoqërojnë tërmetin e së shtunës dhe vetëm mbrëmjen e së martës dhe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës janë regjistruar 6 goditje me manjitudë 3.5, por edhe më të vogël.
Orët e para të mëngjesit të sotëm shumë banorë i kaluan zgjuar, pasi të gjithë i kanë ende të freskëta përjetimet e frikshme të pasdites së të shtunës, kur i gjithë qyteti u derdh në rrugë.
Të pabanueshme
Në njësinë administrative Ishëm – 1
Në njësinë administrative Manëz – 20
Në njësinë administrative Katund i ri – 5
Në njësinë administrative Sukth – 14
Në njësinë administrative Rrashbull – 16
Në njësinë administrative nr.5 – 1 pallat
Në njësinë administrative nr.6 – 8
Në njësinë administrative nr.4 – 8
Në njësinë administrative nr.3 – 0
Në njësinë administrative nr.2 – 9
Në njësinë administrative nr.1 – 1
Të dëmtuara rëndë
Njesia administrative Sukth – 24 familje
Njesia administrative Katund i Ri – 19 familje
Njesia administrative Rrashbull – 13 familje
Njesia administrative Ishem – 7 familje
Njesia administrative Manez – 27 familje
Njesia administrative nr.6 – 6 familje
Njesia administrative nr.2 – 5 familje
Njesia administrative nr.4 – 8 familje
Njesia administrative nr.3 – 2 familje
M.B.





