Shpërthen dhuna. Pas Ajshes, një tjetër krim i rëndë goditi familjen dhe shoqërinë. Sopata e Shabanit u zëvendësua me çekiçin e hidraulikut që ra mbi kokën e nënës së dy fëmijëve të tij. Çekiçi hapi një tjetër varr të parakohshëm, një tjetër plagë që do t’i shoqërojë gjithë jetën familjarët, po mbi të gjithë fëmijët e mbetur jetimë dhe me një baba nënëvrasës të gjallë. Limja 42 vjeçare që u vra natën e së premtes iu shtua vargut të shumtë të nënave, grave dhe vajzave të vrara nga bashkëshortët, baballarët dhe bijtë e dhunshëm.

Ajo, si shumë të tjera, ishte fatkeqe, pre e dhunës së një burri gjaknxehtë dhe të palogjikshëm. Ende pa kaluar vala goditëse e tragjedisë së Xhafzotajt një tjetër krim vjen e na përplaset në fytyrë, si për të shkundur një shoqëri të fjetur, indiferente ndaj asaj që po i ndodh dhe që po e gërryen ditë pas dite. Institucioni i familjes po shkatërrohet në shtyllën më të fortë të tij, gruan, atë që dhuron jetën dhe ripërtërin njerëzimin. Gjysma e popullsisë ndjen se po dhunohet frikshëm, ndërsa masat shtrënguese ndaj dukurisë mungojnë.

Gjaku i Limes dhe i të gjitha të tjerave, që shtohen pareshtur, apelon. Apelon për një reagim energjik të shtetit duke nisur që nga legjislativi dhe deri te ekzekutivi më i ulët e gjyqësori. Dhuna familjare duhet të ndëshkohet me ligj për të mos mbërritur deri në vrasje makabre, që përveç jetëve që marrin gjymtojnë shpirtërisht fëmijët, brezin e ri.

Sot, dhuna është kthyer në plagën më të madhe të shoqërisë. Askush nuk duhet të ndjehet i sigurtë prej saj. Ajo nuk qëndron vetëm brenda familjes ku ushtrohet. Nuk na godet vetëm përmes informacionit mbi rastet, po shtrihet thellë në shoqëri, në shkolla, në rrugë, vende pune. Fëmijë të rritur në familje të dhunshme do e manifestojnë jashtë saj agresivitetin, në mos sot, nesër. Qëndrimet ndaj dhunës pak kanë ndryshuar realisht megjithë fushatat ndërgjegjësuese të bëra gjatë dekadës së fundit.

Tashmë edhe donatorët kanë nisur të hedhin më pak fonde në këtë drejtim. Shumë prej tyre kanë hedhur sytë nga mbrojtja e të drejtave të homoseksualëve dhe lesbikeve, a thua se ky është problemi i këtij vendi. Ndërgjegjësimi, nuk duhet mohuar se i dha frutet e veta duke rritur ndjeshëm denoncimet në polici të rasteve të dhunës, duke ndryshuar mentalitetin edhe të oficerëve të shërbimit që deri në vitin 2004 nuk nguronin t’u thonin grave të nxira e gjakosura: “Po ik moj në shtëpi se burri yt të ka rrahur, jo bota”.

 

Sot, dhuna është kthyer në plagën më të madhe të shoqërisë. Askush nuk duhet të ndjehet i sigurtë prej saj. Ajo nuk qëndron vetëm brenda familjes ku ushtrohet. Nuk na godet vetëm përmes informacionit mbi rastet, po shtrihet thellë në shoqëri, në shkolla, në rrugë, vende pune. Fëmijë të rritur në familje të dhunshme do e manifestojnë jashtë saj agresivitetin, në mos sot, nesër

Po shumë shpejt gratë e dhunuara e që denoncuan bashkëshortët dhe djemtë abuzues a kunetërit u përballën me një tjetër valë dhune dhe më të ashpër, duke kuptuar se mbrojtja e policisë është e atypëratyshme, po nuk e ndalon dhunën. Në jo pak raste e nxit atë, pasi dhunuesi bëhet dhe më shumë agresiv pas denoncimit dhe jeta është në rrezik. I njëjti ishte dhe fati i Limes. E kishte denoncuar disa herë në polici dhunën e të shoqit, dhunë e cila nuk reshti as pas divorcit dhe qëndrimit nën të njëjtën çati të një shtëpie-barake. 

Dhuna ngel brenda dyerve që thyhen vetëm kur ajo vret. Të shumtë janë ata që qëndrojnë indiferentë dhe kur rastis të dëgjojnë që fqinjët në apartamentin a shtëpinë pranë tyre po grinden ashpër. Akoma më të shumtë janë ata që vazhdojnë rrugën pa tentuar as të bëjnë një telefonatë te 129 për të raportuar dhunimin e një gruaje a vajze në rrugë dhe pse ky është partneri i saj. Vazhdojnë rrugën më tutje dhe pse të tronditur nga ajo që panë, pa kuptuar se e gjithë kjo dhunë ndëshkon ditë pas dite të gjithë shoqërinë. 

Ashpërsim ligjor dhe mbështetje

Dhuna është një problem social që i kapërcen kufijtë e raportit mes dy individëve dhe mureve të shtëpisë. Duhet që së pari, ligjvënësi të plotësojë boshllëkun ligjor, që ta konsiderojë dhunën në familje si vepër penale dhe ta ndëshkojë me burgim çdo rast të saj. Të gjithë duhet të angazhohen pas kësaj për të shpëtuar jetët e humbura dhe ato të gjymtuara, pasi dhuna është një problem që prek të gjitha shtresat e shoqërisë, pa dallim racor, fetar, moshor, vendndodhje gjeografike apo niveli social-ekonomik.

Dhuna ndaj gruas çon në regres shoqërinë. Ndërkohë sot, të gjitha ato institucione e struktura që duhet të mbronin gratë dhe fëmijët nga dhuna, jo vetëm që nuk kanë kontribut konkret në parandalimin e saj, por u mungojnë dhe të dhënat mbi përhapjen e fenomenit. Sa e sa gra në Durrës të gjakosura kanë dashur të marrin arratinë nga shtëpia ku jetojnë bashkë me dhunuesin e tyre, po nuk kanë pasur ku të përplasen.

Në listat e personave që marrin banesa sociale dhe kredi të buta nga Këshilli Bashkiak i Durrësit numri i grave që vijnë nga histori gjaku është thuajse i papërfillshëm. Në Durrës nuk ka asnjë strehë për to dhe janë kthyer sërish andej nga kanë dalë me dinjitet dhe shpirt të vrarë dhe pas disa kohësh kanë dalë sërish me trupa në arkivole dhe vdekjen që i merrte ndërsa dhembja fiksohej në britma fëmijësh.

RASTET

 

28 gusht

KrujëNjë 42 vjeçare, Vjollca Doku kreu vetvrasje pas dhunës së vazhdueshme të bashkëshortit të saj. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës raportoi, në fund të gushtit, zbardhjen e shkakut të vdekjes dhe ndalimin e bashkëshortit të saj vetëm dy ditë, pasi ajo mbylli sytë. 46 vjeçari Ferid Doku u ndalua nën akuzën e konsumimit të veprës penale “shkaktim të vetëvrasjes”. Nga kqyrja e kufomës rezultoi se viktima kishte shenja të dhunës në trup në kohën që ka qenë gjallë dhe sipas deklarimeve të familjarëve të saj, kjo dhunë ishte ushtruar nga i shoqi.

12 shtator

PogradecPolicia gjeti të masakruar 24 vjeçaren Fatjona Sula, në Qafë Thanë. Sipas burimeve policore viktima ishte goditur shumë herë me gurë në kokë dhe ishte lënë e masakruar poshtë një ure. Viktima nga fshati Ostren u vra nga i dashuri i saj 27 vjeçari Çelnik Maliqi. Ajo u gjet gjysëm e zhveshur dhe me plagë të shkaktuara nga gurë dhe mjete të forta. Autori i krimit deklaroi në polici se e kishte vrarë Fatjonën pas kërkesës së saj të vazhdueshme për t’i dhënë lekë.

16 shtator

KorçëNjë 26-vjeçare u gjet e plagosur rëndë në një kazan mbeturinash në qytetin e Korçës. Esilda Elmazi është gjetur e keqtrajtuar dhe e hedhur në një kazan plehrash nga punonjësit e pastrimit. Autor i keqtrajtimit të saj ishte bashkëshorti Romeo Elmazi. Çifti që i përkiste komunitetit rom kishte dy fëmijë dhe jetonin në kushte mjaft të vështira ekonomike.

31 shtator

KorçëNë fshatin Podgorie të rrethit të Korçës një 57- vjeçar ekzekutoi me breshëri automatike të dashurën bashkë me partnerin me të cilën ajo kishte krijuar lidhje së fundmi. 40 vjeçarja Eliverta Çoçka u vra së bashku me partnerin e saj Feridon Bollguri nga 57 vjeçari Viktor Rozani. Pas vrasjes Rozani njoftoi policinë për vrasjen, ndërkohë që menjëherë më pas kreu vetvrasje.  

6 tetor

TiranëNë Laprakë një burrë vrau mizorisht gruan me thikë nën efektin e alkolit. Shtetasi Edmond Doku, 45 vjeç ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij, Rolanda Doku, 36 vjeç. Çifti Doka ishte në prag divorci. Ata ishin regjistruar në gjykatë për t’u divorcuar, dhe madje gruaja ka qenë për një periudhë kohe nën mbrojtjen e policisë. Policia bën të ditur se Rolanda Dokut i kishte përfunduar afati i urdhrit të mbrojtjes prej pak ditësh. Ka qenë ky momenti që burri ka shfrytëzuar për t’i marrë jetën gruas së tij.

11 tetor

DurrësTrupi pa kokë i një 18 vjeçareje Aishe Vata, me origjinë nga Kukësi dhe banuese në fshatin Vëllazërim, Xhafzotaj u gjet në mes të një are me misër. Pas tre ditë kërkimesh dhe shoqërimit në polici të shumë personave u ndalua 80 vjeçari Shaban Norja, i cili sipas policisë rezulton të jetë autori i krimit. 80 vjeçari pretendon se e ka vrarë vajzën, pasi i ishte kërkuar një gjë e tillë prej saj. Në të njëjtën kohë policia deklaron se ai është babai i fetuesit 3 muajsh që Aishja mbante në bark.

19 tetor

Durrës42 vjeçarja Lime Dedej u vra me mjete të forta nga ish bashkëshorti i saj Bujar Dedej. Krimi i rëndë u krye para syve të fëmijëve të mitur të çiftit. Burime policore bënë të ditur se Bujar dhe Lime Dedej ishin divorcuar një vit më parë, por vazhdonin të jetonin në të njëjtën shtëpi për shkak të kushteve të vështira ekonomike.