DURRËS, 28 shkurt 2013 – Një ditë e zakonshme në portin e Durrësit paraqet të papriturat e tregtisë së jashtme me çimenton.

Sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës (APD), nga 4 anije që përpunoheshin në mëngjesin e 28 shkurtit në kalatat e portit më të madh të vendit, dy kishin procese të kundërta me çimenton.

Kështu në kalatën 7 qysh nga 22 shkurti 2007 vazhdon shkarkimi i 3221 tonë çimento të papaketuar importi nga anija “Kneo”, kurse në kalatën 2 qysh nga 26 shkurti vazhdon ngarkimi në anijen “Mansour M” i 5250 tonë çimento me thasë për eksport.

Në radë, qysh nga data 12 shkurt 2013 qëndron anija “Frosina’ me 2200 tonë çimento importi të papaketuar, kurse më 1 mars pritet të vijë anija “Eviacement III”, e cila në kalatën 11 do të ngarkojë për eksport 6400 tonë çimento të papaketuar.

Gjithsej shkarkohen 5421 tonë çimento importi dhe ngarkohen, më tepër se dyfishi, 11650 tonë çimento për eksport. Bilanc pozitiv tregtar njëditor.

Në Shqipëri është ngritur një industri e fuqishme e prodhimit të çimentos, që tejkalon nevojat e vendit dhe eksporton si në rrugë tokësore ashtu dhe në atë detare.

Para disa kohësh plasi një luftë tregtare për çimenton midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjithmonë, sipas APD-së, më 28 shkurt, në port po përpunoheshin 4 anije. Dy me çimento, një me grurë dhe  një me xhama.

Në radë ishte në pritje një anije me çimento, kurse rrugës, në drejtim të Durrësit, ishin 5 anije, nga të cilat një për të ngarkuar çimento për eksport, kurse katër të tjerat janë me mallra ushqimore importi (1372 tonë sojë, 800 tonë patate, 6599 tonë grurë dhe 2923 tonë misër).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/