Kryeministri Edi Rama ka thirrur në një takim ditën e sotme ministrat e kabinetit qeveritar, takim i cili po mbahet në ambientet e Vilës 31 në zonën e ish-bllokut në kryeqytet.
Në fokus të diskutimit janë punët e bëra deri më tani nga qeveria socialiste. Po kështu, jashtë vëmendjes së diskutimit nuk ngelen as zgjedhjet vendore 2023, në të cilat socialistët synojnë që të fitojnë të paktën 40 bashki. Nga PS nuk ka ende emra përsa i përket kandidaturave në zgjedhjet vendore, me përjashtime të vogla në disa qytete, ku kryebashkiakët aktualë janë rikonfirmuar që do të garojnë sërish.
Me nisjen e vitit të ri, por dhe me afrimin e zgjedhjeve të 14 majit, në mbledhjen e sotme Rama do të japë porositë për vijimësinë e punëve nga socialistët.
Pas mbledhjes së sotme me ministrat, ditën e nesërme Kryeministri do të zhvillojë një mbledhje edhe me drejtuesit politik të qarqeve të Partisë Socialiste ku do të njihet me punën në terren, por edhe për të dhënë detyrat e reja.