Gjatë vitit 2022 në Itali është regjistruar një rritje e numrit të gazetarëve të kërcënuar e frikësuar për shkak të punës, një rritje e numrit të ankesave të tyre për kanosje, dhe një reduktim i denoncimeve nga ana e autoriteteve për t’i marrë në mbrojtje.

564 punonjës të mediave, gazetarë, video operatorë e bloger janë kërcënuar në Itali për shkak të punës së tyre, përgjatë 9 muajve të parë të vitit 2022.

Këto të dhëna janë publikuar sot nga Observatori Kombëtar  i informacionit, “Ossigeno”, i cili ka analizuar e dokumentuar rastet që shënojnë një dyfishim të këtyre të dhënave në krahasim me një vit më parë.

Më 2021 janë regjistruar 288 raste të gazetarëve e operatorëve të kërcënuar e frikësuar, e gati sa gjysma e atyre të verifikuara përgjatë 9 muajve të parë të vitit 2022.

Të dhënat e 2022 kanë vërtetuar dhe 173 episode kanosje ndaj gazetarëve, 57% e tyre kanë qënë paralajmërime, 8% dhunë fizike e 35% abuzim me padi e aksione legale.

Ndër 564 gazetarë e video operatorë të kërcënuar, 29% janë femra.

Raporti informon se gajtë 2022, vihet re një rritje e numrit të gazetarëve të frikësuar dhe të ëkrcënuar dhe një reduktim i denoncimeve nga ana e autoriteteve në krahasim me nëj vit më parë.

Pak ditë më parë ka qënë Ministria e Brendshme Italiane e cila ka publikuar të dhënat mbi lirinë e medias e rastet e gazetarëve të kërcënuar në Itali.

Ky raport shtetëror përmban të dhëna të ndryshme nga Observatori i Informacionit e shifra shumë më të ulëta. Sipas tij janë regjistruar 84 raste punonjës medias të kërcënuar e rajonet më të goditura janë Lazio, Lombardia, Toscana, Campania e Calabria.

Osbersvatori i Informacionit thekson se të dhënat e tyre përmbajnë një analizë më të gjerë duke përfshirë dhe rastet e padive dhe shpifjeve të instrumentalizuara për të shtypur të drejtën e lirinë e informimit si dhe të drejtat e njeriut të mbrojtuara nga Konventa Europiane.

Nga viti 2006 kur ky Observator ka nisur punën e deri sot janë regjsitruar 6249 gazetarë italianë të kërcënuar për shkak të punës. /Ora News