423,724 të infektuar dhe 18,925 viktima është bilanci aktual i Covid-19, në mbarë botën.
Aktualisht situata paraqitet problematike në Itali, Spanjë dhe SHBA. Vendi më i goditur në Evropë, Italia numëron 69,176 të prekur dhe 6,820 viktima, ndërkohë që shifrat kanë ndryshuar me ritme të frikshme edhe në Spanjë. Konkretisht 42,058 infektime dhe 2,991 të vdekur.
Po kështu, SHBA ka 54,916 raste dhe 784 të pajetë. Ndërkohë në Iran, 24,811 raste dhe 1,934 viktima si dhe në Francë 22,304 raste dhe 1,100 viktima.
Listës së gjatë të vendeve nën izolim, së fundmi i është bashkuar edhe India, e cila ka shpallur izolimin për 21 ditë duke nisur nga orët e para të së mërkuës.
Nga ana tjetër, Rumania ka shpallur karantinim total. Shteti në fjalë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme më 16 mars, mirëpo numri i rasteve ka vazhduar të rritet ndjeshëm, meqë njerëzit kanë injoruar rekomandimet e qeverisë për të qëndruar brenda. Numri i infektimeve është 794, ndërsa i të vdekurve ka shkuar në 12.





