Tiranë, 6 korrik 2014 – Qeveria shqiptare, në një mbledhje informale po përgatit bilancin e punës 300 ditore të saj, ndërkohë edhe prioritetet e vitit të dytë të qeverisjes. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka cilësuar periudhën 2014-2015 si “viti antikorrupsion”.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Rama, ka bërë të ditur se dita e sotme do të jetë mjaft e ngarkuar për kabinetin qeveritar që ai drejton.
“Sot ditë e gjatë pune e qeverisë për bilancin e 300 ditëve dhe përgatitjen e vitit të dytë qeverisës – Viti Antikorrupsion, shtator 2014-15”,– shkruan Rama, i cili thekson se rezultatet janë tepër inkurajuese.
“Pushim dreke pas një seance mbi të dhënat shumë inkurajuese të ekonomisë e përgjithësisht të qeverisjes në 300 ditë. Analiza e sondazheve të përjavshme të 300 diteve flet për qëndrimin e qeverisë në lartësinë e besimit të qytetarëve.”-vijon Rama.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





