Në një situatë ku një pjesë e tifozëve ende nuk kanë siguruar dot biletën për ndeshjen kualifikuese Shqipëri-Angli, disa të tjerë jo vetëm i kanë blerë, por madje kanë vendosur t’i shesin në tregun e zi.

E çuditshme është mënyra se si i kanë siguruar biletat, pavarësisht se ende nuk kishin dalë në shitje ndonëse kjo ka marrë tashmë përmasa të zakonshme kur luan Kombëtarja.

Ajo që bie në sy janë çmimet, të cilat shkojnë deri në 10 herë më të larta se në faqen zyrtare të publikuar më herët nga FSHF.

Mjafton një vëzhgim i shpejtë në rrjetet sociale për të parë njoftime të shumta ku reklamohen biletat.

Për shembull, bileta për sektorin E202 në portal kushtonte 25 mijë lekë të vjetër, ndërsa në tregun e zi shkon deri në 250 euro.

FSHF ka provuar më herët t’i japë fund tregut të zi, duke deklaruar një proces të gjatë për sigurimin e një bilete, por duket se nuk ka funksionuar.

Ndeshja në fjalë është e fundit kualifikuese drejt Kampionatit Botëror dhe do të luhet më 16 nëntor. /EuronewsAlbania