Përmes projektit më të fundit muzikor, këngëtarja Billie Eilish ka reaguar e revoltuar ndaj të gjithë të famshmëve që mohojnë se kanë kryer operacione plastike, duke krijuar në këtë mënyrë standarde jo të vërteta bukurie.

Kënga më e re e saj “OverHeated”, i kushtohet problemeve me bullizmin ndaj peshës trupore dhe u dedikohet personave publikë që kanë “trupa plastikë’.

“Nuk është puna ime, por a nuk lodheni duke pozuar për fotografi me atë trup plastik?”, thuhet në një nga pjesët e këngës.

Në një intervistë për “The Guardian”, këngëtarja foli më me detaje për qëndrimin e saj.

“”OverHeated” është për të gjithë ata njerëz që promovojnë standarte trupore të pavërteta. Nuk ka asnjë të keqe të bëni operacione plastike, bëni atë që ju bën të lumtur. Thjesht problemi qëndron kur e mohoni dhe thoni: “Kjo jam e gjitha unë, natyrale dhe nëse edhe ju do të përpiqeshit më shumë do të ishit si unë”. Kjo më inatos pafund. Është diçka shumë e keqe për të rinjtë kur shohin këtë gjë.”

Billie gjithashtu shpjegoi se si rrjetet sociale mund të ekzagjërojnë këto standarte false.

“Shikoj njerëz në rrjete sociale që duken ashtu si unë nuk dukem kurrë. Dhe menjëherë pyes veten se si duken ato në atë mënyrë. E di që këto janë të domosdoshme në këtë industri, gjithashtu e di se çfarë përdorin në foto për t’u dukur perfektë dhe unë e kuptoj se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Gjithsesi kjo më bën të ndjehem shumë keq.”