Është zbuluar një koleksion i pasur me filma pornografikë dhe imazhe erotike të ruajtura në USB dhe kompjutera, përmes të cilave Osama Bin Laden mendohet se kishte dërguar mesazhe të koduara disa muaj para sulmit terrorist në Kullat Binjake më 11 shtator 2001 në SHBA.

Një film-dokumantar i ‘National Geographic’ me titull ‘Hard Drive Bin Laden’, i cili do të transmetohet më 10 shtator, në prag të përvjetorit të masakrave, ka analizuar koleksionin e videove pornografike të gjetura në bunkerin në Abbottabad, në Pakistan, gjatë sulmit amerikan të natës së 2 majit të vitit 2011 në të cilin u vra numri një i terrorizmit botëror.

Prania e videove pornografike nuk është asgjë e re, duke qenë se agjencia Reuters e ka përmendur këtë fakt për herë të parë në vitin 2011, por është përdorimi që Bin Laden i ka bërë atyre, ajo që ka tërhequr vëmendjen e ‘National Geographic’.

Sipas disa letrave që i atribuohen Bin Laden, terroristi kishte frikë nga përdorimi i postave elektronike për të komunikuar me njerëzit e tij, prandaj preferonte të përhapte mesazhet e tij përmes korrierëve. Në bunker kishte kompjuterë, sisteme televizive dhe disqe plot video me përmbajtje të pazakontë për një njeri që e quante veten asketik.

Përveç librave nga Noam Chomsky dhe Michael Scheuer dhe një vëllimi i historisë moderne të botuar nga Universiteti i Oksfordit, u gjetën gjithashtu edhe 470,000 skedarë dixhitalë, më shumë se njëqind USB dhe 250 gigabajt të dhëna.

Ideja që del nga dokufilmi i National Geographic, dhe i paraqitur nga eksperti i inteligjencës Peter Bergen, gazetari i parë perëndimor që intervistoi Bin Laden, është se shefi i Al Kaedës mund të ketë fshehur mesazhe të koduara në video porno-t, për t’i përhapur ato përmes korrierëve të tij.