9tetor 2015 – Vetëm pak ditë nga nisja e procesit gjyqësor në gjykatën e rrethit Durrës, në ngarkim të dy motrave Kajtazi, me akuzën e “vjedhjes në bashkëpunim” dhe “shkatërrim i pronës me zjarr”, e vogla e familjes, K. Kajtazi ka kërkuar të bashkohet me familjen e saj në lagjen numër 15 në Spitallë të Durrësit.
14 vjeçarja e konsideruar si rebelja e fundit e shtëpisë, e cila prej 2 muajsh po qëndron në një institucion të shërbimit social në Tiranë, është takuar me motrën e dytë, Orialdën e cila e ka bindur të kthehet në gjirin e familjes. Kjo ka bërë që në Gjykatën e Durrësit të mbërrijë kërkesa e 14-vjeçares, për prishjen e urdhrit të mbrojtjes të marrë në 7 shtator për 6 muaj, që tre familjarët Babai Muhameti, nëna Anila dhe Alketa motra e madhe, t'i qëndrojnë larg, pa mundësi kontaktimi. Orialda 18 vjecare u lirua nga gjykata e Apelit, pasi kërkoi falje prindërve, shfaqi pendesë të thellë në gjykatë, dhe kërkoi të fillonte shkollën, pasi në burg rrezikonte vitin shkollor. 18 vjeçarja është vajza e vetme në familje e cila kishte mundësi të takohej me motrën e vogël, në qëndrën sociale, ku ishte marrë në mbrojtje, duke e bindur të kthehej në shtëpi.
Dy motrat Kajtazi, u kthyen në dy adoleshentet më të famshme në Shqipëri, pas një sërë aventurash shumë të rrezikshme që ndërmorën. Fillimisht vajzat helmuan prindërit, që përfunduan në spital, u arratisën nga shtëpia, pasi morën teshat e tyre, dhe kursimet e familjes, dhe në fund i vunë zjarrin shtëpisë së tyre për të humbur gjurmët. Vajzat u arratisën për një muaj, ndërsa të dy prindërit për asnjë moment nuk i braktisën ato, madje u qëndruan afër, duke i mbështetur, në seancat gjyqësore, deri në lirimin e 18 vjeçares nga burgu, ku përfundoi me vendim të gjykatës së shkallës së parë. Dy motrat Kajtazi pritet që javën e ardhshme të paraqiten në gjykatë, ku nis procesi gjyqësor në ngarkim të tyre.
/portali DurresLajm/





