Gjashtë deputetë të rinj u betuan sot në Kuvend, mes tyre edhe Andi Përmeti, një prej themeluesve të partisë më të re Bindja Demokratike.
Më 23 prill kjo parti dorëzoi në gjykatën e Tiranës kërkesën për regjistrim si forcë politike dhe më pas vendimi kalon në KQZ për t'u regjistruar në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Dokumentacioni i regjistrimit si parti politike është shoqëruar me rreth 4 mijë firma të mbështetësve për krijimin e saj.
Sot u betua edhe kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Rroshi nga lista shumë emërore e PD, Nikolin Staka nga lista shumë emërore e PD-së në Shkodër, Zef Shtjefni kryetar i Partisë “Ora e Shqipërisë”, lista shumë emërore e qarkut të Shkodrës; Fatjona Koço nga lista shumë emërore e PD-së në Gjirokastër, dhe Eugen Bojaxhi, nga lista shumë emërore e LSI-së e qarkut të Beratit.
Me betimin e gjashtë emrave të fundit, numri i deputetëve të betuar në Kuvend shkon në 108.
Erjon Piciri pritet që të betohet në seancën e radhës, ndërsa dy të tjerë pritet që të marrin mandatin, pasi kanë dorëzuar dokumentacionin në KQZ.





