Itali, 11 prill 2014 – Roja e Financës italiane dhe dogana në Portin e Barit sekuestruan dy kamionë të ardhur me tragetin e linjës Durrës-Bari. Në kamionë gjendeshin 42,9 ton mbeturina, rripa e copa plastike. Këto mbeturina plastike ishin eksportuar në Itali nga një firmë shqiptare e licensuar nga shteti shqiptar për të përpunuar të tilla mbeturina.
Dy kamionët dhe mbeturinat plastike u sekuestruan nga doganierët italianë, sepse importi i tyre ishte kryer në kundërshtim flagrant me nenin 259 të ligjit “Testi unik ambjental” i vitit 2006. Për importuesin italian të këtyre mbeturinave plastike u bë kallëzim penal për shkelje të normës ndërkombëtare “UNIPLAST”.
Ndërsa autoritetet italiane e kryen detyrën ngrihet pyetja po kolegët e doganave shqiptare të asistuar nga doganat italiane, franceze dhe firma e konsulencës private “Crown Agents” pse nuk e ndaluan në Shqipëri këtë ngarkesë? Zonjusha Spiropali, që në ditën e katërt në detyrë përmendi me krenari sistemin “Asycuda’. I kujtojmë drejtores Spiropali se ky sistemi “Asycuda” funksionon në të dy drejtimet, pra edhe për mallrat që hynë në territorin shqiptar nga BE-ja edhe për mallrat shqiptare, që hynë në territorin e vendeve anëtare të BE-së (Italisë në rastin në fjalë). Në Kodin Doganor shkruhet qartë se misioni i doganave shqiptare është i shumëfishtë jo thjesht fiskal. Pjesë e këtij misioni është edhe siguria kombëtare e Shqipërisë dhe e aleatëve të saj.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





