Sueda dhe Suada janë dy vogëlushe binjake 10 vjeçe, nxënëse të shkëlqyera që kurrë nuk janë ndarë nga njëra-tjetra. Vogëlushet e klasës së katërt të shkollës “Jeta e Re”, kanë lindur me një sëmundje të rëndë, e cila prek gjymtyrët e nuk mund të ecin.

Të lindura në një familje të varfër, e vetmja e ardhur në familjen e tyre prej 5 anëtarësh është pensioni i invaliditetit të tyre. Kur mbërritën 12 vjet më parë nga një fshat i Kukësit në Kënetë, familja Ibra e dy vogëlusheve, u strehua në një barakë, ndërsa sot, falë ndihmës së “Ryder Albania”, kanë një shtëpi normale.

Përfaqësues të kishës iu kanë ndërtuar një shtëpi, ndërsa ndihma kanë edhe nga shoqata të tjera humanitare me të cilat bashkëpunon “Ryder Albania”. Vajzat kanë vetëm në dëshirë, që të shkojnë në shkollë, të dalin jashtë. Për të çuar vogëlushet në shkollë, janë të angazhuar nëna dhe babai, të cilët për çdo ditë janë të detyruar t’i ngrenë në krahë, për t’i çuar e po kështu edhe për t’i marrë nga shkolla.

Babai i tyre thotë se së fundi i kanë ndërprerë edhe pensionin e kujdestarisë. “Ka dalë ligji që nuk jepet pension kujdestarie, për të dy prindërit. Ne burrë e grua kujdesemi për të dy vajzat. As unë, as gruaja nuk mund të shkojmë në punë, se asnjë prej nesh nuk mund të mbajë i vetëm të dyja vajzat në kurriz”.

Apeli vjen edhe nga nëna e vogëlusheve e cila falënderon shoqatat e bamirësisë për ndihmën e pakursyer që iu kanë dhënë, por i bën apel shtetit që të mos ndërpresë pensionin e kujdestarisë për vajzat. 

K.H.