Durrës, 24 qershor 2014 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim kryetarin e bashkisë së Bitontos Michele Abbaticchio i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Durrës. Kryetari i bashkisë së Bitontos, qytet në afërsi të Barit, Itali, ka ardhur në Durrës i shoqëruar edhe nga kreu i këshillit bashkiak Vito Palmieri si dhe zyrtarë të tjerë.
Kreu i bashkisë së Bitontos vjen në Durrës pas vizitës të dy muajve më parë që kryebashkiaku i Durrësit zhvilloi në Bitonto ku edhe nënshkroi marrëveshjen e binjakëzimit midis Durrësit e Bitontos. Pikërisht disa nga aktivitetet që do të kryhen në kuadër të kësaj marrëveshjeje dhe bashkëpunimi midis dy qyteteve kanë qenë tema kryesore e bisedës së zhvilluar midis kryebashkiakut të Durrësit dhe atij të Bitontos.
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka bërë një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve.
Kryebashkiaku Dako është ndalur edhe në fushën e turizmit duke e njohur delegacionin italian me atraksionet që ofron Durrësi, vijën bregdetare që shtrihet për kilometra të tëra, por edhe turizmin kulturor, monumentet e rëndësishme arkeologjike dhe historike etj.
Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja. Nga ana e tij, kryebashkiaku i Bitontos Abbaticchio ka falenderuar kryebashkiakun Vangjush Dako për pritjen dhe ka biseduar gjatë me të në lidhje me shumë fusha ku biseda është ndalur edhe në sektorin e turizmit, i cili gjithashtu është një sektor mjaft i rëndësishëm përsa i përket ekonomisë së qytetit dhe të gjithë Shqipërisë.
Të dy kryebashkiakët kanë deklaruar se binjakëzimi midis Durrësit e Bitontos do të sjellë shumë shkëmbime kulturore, ekonomike dhe turistike midis dy qyteteve tona por edhe midis Durrësit dhe zonës së Puglias në përgjithësi.
Në këtë takim kryebashkiaku Vangjush Dako i ka dhuruar kryebashkiakut të Bitontos Michele Abbaticchio, kryetarit të këshillit bashkiak Vito Plamieri si dhe një personaliteti të këtij qyteti, Giuseppe Guglielmo titujt “Mirënjohje e qytetit” për kontributin e tyre në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe binjakëzimit midis dy qyteteve tona.
Pas vizitës në bashkinë e Durrësit delegacioni italian ka zhvilluar vizita në amfiteatrin e qytetit, muzeun etnografik, Torrën Veneciane etj duke u njohur nga afër me vlerat historike dhe kulturore të qytetit bregdetar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





