Lupço Palevski, i dyshuari kryesor për organizimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe Pançe Zhezhovski nga Velesi ka biografi “të pasur” kriminale. Nën hijen e biznesmenit, ai ka qenë pronar i gazetës së shuar “Start” dhe i kanalit televiziv sportiv “Kanal 4”. Në vitet 1998-2002 ka qenë kryetar i degës së LSDM-së në Shkup, ndërkaq aktivitetin e tij politik e ka vazhduar në rryma nacionaliste, gjegjësisht është themelues i lëvizjes “Treta” e cila më pas është shndërruar në parti me emrin “Desna”. Pallço ka dosje kriminale edhe për ndërtime pa leje, posedim përgjimeve të paligjshme, armëmbajtjes pa leje dhe një sërë tjerash veprash penale. Pas vrasjes, ai është në arrestuar në Turqi, gjatë arratisjes së tij për t’i ikur përgjegjësisë në lidhje me dy vrasjet në RMV, së shpejti autoritetet pritet ta ekstradojnë, shkruan Portalb.mk.
Paraqitja e parë publike e Palevskit është si drejtor i revistës javore “Start” në vitin 1998. Gazeta arriti të mbijetojë disa vjet, por përfundimisht u mbyll në vitin 2001 nga mosmarrëveshjet e brendshme në redaksi, si rezultat i të cilave u largua kryeredaktorja Mirka Vellinovska bashkë me pjesën më të madhe të ekipit gazetaresk. Për shkak të konfliktit të vitit 2001, Palevskit i dështoi edhe përpjekja për të botuar gazetën “Global”, gazeta e parë ditore dygjuhëshe (në maqedonisht dhe shqip), pasi shtypshkronja që e botonte ndodhej në zemër të konflikteve, në Reçicë të Vogël.
Pas ardhjes së LSDM-së në pushtet në vitin 2002, Palevski i hyri biznesit televiziv, duke marrë TV Alfa – Shkup. Këtu ai krijoi televizionin e parë sportiv, “Kanali 4”, i cili qe jetëshkurtër. Gjatë kësaj periudhe ai hyri në konflikt me pushtetin e LSDM-së dhe u bë kritik i ashpër i saj.
Palevski, dhe tre të dyshuar tjerë, janë anëtarë të një partie politike nacionaliste të quajtur Partia e Djathtë, e cila është kundër Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe NATO-s, ndërkohë propagandon për Rusinë dhe presidentin rus Vladimir Putini. Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski mbrëmë kërkoi çregjistrim të partisë “Desna” pasi që është fole kriminale.
“Një fole e tillë kriminale, siç u krijua, duhet të prishet deri në thelb, dhe partitë e tilla politike që nuk e di se çfarë qëllimesh kanë vërtetë, siç janë formuar, duhet të çregjistrohen”, tha ministri duke u përgjigjur pyetjes së një gazetari.
Ministri Spasovski tha se nëpërmjet kryerjes së politikave, koalicioneve, marrëveshjeve e kështu me radhë, ndikime të të gjitha llojeve kanë dashur praktikisht të bëjnë destabilizim në shtet.
I pyetur se për çfarë ndikimesh nga jashtë, Spasovski tha se e kishte fjalën për qëndrimet që përfaqëson kjo parti politike.
Krime pa pasoja
Lupço Palevski Pallço është “autori” i ndërtimit të parë pa leje në vend, me ndërtesën “Tifany”, pozicionimi i të cilës bulevardin “Partizanski odredi” e ka shndërruar në qorrsokak. Kjo ndërtesë edhe sot qëndron si përkujtues se për disa njerëz çdo gjë është e mundur, edhe kur keqpërdorimet janë të dukshme.
IRL më 4 dhjetor publikoi detaje të hulumtimit të tyre për Palevskin, duke radhitur në mënyrë kronologjike të gjitha rastet kur Palevski është përballur me strukturat ligjore të shtetit. Ai për herë të parë është evidentuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) në vitin 2000 për fshehje tatimi. Në vitin 2002, policia ka bërë kallëzim penal kundër tij për deklaratë të rrejshme për një vjedhje në ndërmarrjen e tij “Upa Enterprise”.
Në vitin 2005 MPB ka bërë kallëzim penal kundër tij për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizim dhe falsifikim dokumentesh. Sipas arkivave të gjykatës, vendimi është dhënë në vitin 2007. Palevski së bashku me një person tjetër janë dënuar me burgim prej 8 muajsh, ose me kusht prej dy vjetësh nëse nuk kryejnë vepër të re.
Në vitin 2017, Palevski ishte objekt i një hetimi nga shërbimet sekrete. Administrata e atëhershme për Siguri dhe Kundërzbulim dërgoi një letër në Prokurorinë Speciale Publike për aktivitetet e Palevskit dhe informacionet se ai posedonte në mënyrë të paligjshme biseda të përgjuara. Sipas burimeve të IRL-së, operacioni i PSP-së i quajtur “Tesla” është sabotuar dhe gjatë kontrolleve në disa objekte që lidhen me Palevskin nuk janë gjetur prova të mjaftueshme.
“Në kontrollin e parë të paraparë, prokurori dhe policia janë kthyer nga parkingu i PSP-së me shpjegimin e kryeshefes Katica Janeva se tani nuk ishte koha e duhur për kontroll. Menjëherë u hapën dyshimet se kishte presion, por nuk mund të bënim asgjë. Kur na lejuan të shkonim për kontrollim pas disa ditësh, ai na priste me disqet e pastruar. Ishte zhgënjyese”, thotë një burim policor anonim.
Ky rast ishte në hetim paraprak në PSP dhe pas shpërbërjes së PSP i është dorëzuar Prokurorisë Publike të Shtetit. Më tej, kjo lëndë i është caktuar një prokurori në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, por IRL nuk ka marrë informacione zyrtare nëse rasti është përpunuar më tej. “Nuk e dimë, do të kontrollojmë se çfarë ka ndodhur”, është përgjigjur një person nga sektori për marrëdhënie me publikun në Prokurorinë Themelore Publike.
Prokuroria nuk i ka konfiskuar bisedat e përgjuara dhe Palevski ka vazhduar t’i publikojë ato. Në vitin 2019, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale në Prilep, së bashku me disa persona të tjerë, Palevski organizoi një tubim ku në altoparlant lëshonte biseda të përgjuara ilegalisht. Në biseda u shfaqën zëra të zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm. Policia në Prilep ka bërë kallëzim penal kundër tij. Nga Prokuroria Publike për IRL janë përgjigjur se për këtë rast ka dënim me kusht për Palevskin. Palevski pastaj ka paraqitur ankesë dhe seanca e re është caktuar për në shkurt të vitit të ardhshëm. Kjo prokurori nuk ka hedhur dritë mbi faktin se si i kanë ardhur në posedim këto regjistrime, nëse materialet e përgjuara në mënyrë të paligjshme janë ligjërisht pronë vetëm e Prokurorisë Publike.
Palevski është arrestuar tri herë
Në vitin 2019 Palevski u arrestua në Beograd, me urdhër-arrest nga Zagrebi, për një borxh të supozuar të ndërmarrjes së tij në Kroaci, dhe më pas u transferua në Kroaci, ku u gjykua për vepra me karakter pronësor-juridik. Mirëpo pas tetë muajsh u lirua dhe u kthye në Maqedoninë e Veriut. Në faqet e Interpolit, urdhri i arrestit kroat nuk është më aktiv dhe nuk dihet se Palevski në cilat rrethana është liruar.
Në vitin 2020 u arrestua për shkelje të masës së vetëizolimit, sepse ishte ulur në një kafene në Shkup.
Herën e tretë i vunë prangat në maj të këtij viti pranë tunelit Demir Kapija në jug të Maqedonisë, ku u arrestua së bashku me tre persona të tjerë derisa gjurmonin ar. Gjatë këtij arresti, sipas një njoftimi zyrtar të policisë së RMV, ai tentoi të hidhte një pistoletë për të cilën kishte leje vetëm për posedim, por jo edhe për mbajtje.
Palevski dyshohej në shumë raste për fshehje të tatimit, posedim të paligjshëm të bisedave të përgjuara private, publikim të dokumenteve të fshehta, deklarata të rrejshme, falsifikim, armëmbajtje pa leje. Ai kishte disa dënime, por të gjitha ishin dënime me kusht. Dhe për vrasjen e fundit të dyfishtë të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, në të cilën ai është i dyshuari kryesor, Palevski arriti të arratiset nga shteti.
I mbrojtur nga shteti
Në vitin 2020, Palevski u sulmua fizikisht para shtëpisë së tij. Partitë më të mëdha politike VMRO-DPMNE dhe LSDM kërkuan publikisht mbrojtjen e Palevskit nga institucionet. Të njëjtat parti politike, kur ishin në pushtet, nuk organizuan hulumtime efikase për Palevskin.
“Koha e mosndëshkimit të dhunës ka kaluar, tani është koha e përgjegjësisë dhe të gjithë ata që kanë kryer dhunë do të përballen me ligjin dhe drejtësinë”, njoftoi atëherë LSDM.
Sulmin e dënoi edhe lideri i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.
“Dhe të mos gënjehemi, qeveria i njeh shumë mirë autorët dhe përgjegjësit e këtij sulmi të përgjakshëm. Nëse qeveria nuk e zbardh incidentin sa më parë, atëherë njerëzit duhet të dinë si të mbrohen në të ardhmen”, tha Mickoski.
Në korrik të të njëjtit vit, Palevski në një konferencë për shtyp prezantoi dokumente të fshehta nga Drejtoria e Kundërzbulimit dhe shënime zyrtare. Ai vazhdoi të publikonte pjesë të dokumenteve të fshehta në Facebook, duke përfshirë transkriptet e bisedave me objektivat e ish Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK).
Në mars të vitit 2021, Prokuroria Themelore Publike (PTP) Shkup ka paraqitur një propozim akuzë kundër Ljupço Palevskit për zbulimet e vazhdueshme të sekreteve zyrtare. Por edhe ky rast nuk është zgjidhur.
“Ju e pranoni përmbajtjen e sekreteve zyrtare, kurse përmbajtja është përgjimi i të gjithë aktivistëve të “Bojkotiram”. Me atë se jeni në panik dhe grabisni njëri-tjetrin gjithë ditën, nuk mund të trembni askënd, e mua fare”, ka thënë atëherë Palevski.