5 nëntor 2015 – Për pak plasi grushti…Kristiano Ronaldo dhe Zhoze Murinjo kanë pasur një debat të ashpër mes tyre kur ishin te Real Madridi dhe për pak fluturuan grushtet, zbulohet në një biografi të re të Kristiano Ronaldos.
Libri, i botuar nga një gazetar spanjoll me emër edhe në Angli, Gijem Balague, zbulon detaje mjaft interesante, që deri tani nuk diheshin me saktësi, edhe pse është thënë shpesh që Ronaldo e Murinjo nuk kanë pasur marrëdhënie të mira mes tyre, sidomos në vitin e fundit të trajnerit në Madrid.
Gjithçka ndodhi në një ndeshje kupe kundër Valencias, në janar 2013, kur Murinjo u zemërua me Ronaldon pasi ky ifundit nuk po mbronte në një kohë që Reali kryesonte 2-0 dhe një gol i pësuar e eliminonte.
Më pas, në dhomat e zhveshjes Murinjo u shpjegua: “Nuk duhej të pësonim gol, ndaj u nxeha me ty”, i tha Ronaldos, por ky i fundit u çua dhe i tërbuar u përgjigj: “Si guxon të ma thuash këtë? Pas gjithë atyre që kam bërë për ty, kështu më trajton!”.
Më pas Ronaldo u afrua kërcënueshëm drejt trajnerit dhe u desh ndërhyrja e disa lojtarëve, mes të cilëve Kasijas e Ramos, për t’i ndarë dy dubluesit. Që atëherë, Murinjo e Ronaldo nuk kanë folur më me njëri-tjetrin.
/portali DurresLajm/