21 janar 2015 –  “Unë jam i ndërgjegjshëm për ndeshjen që pashë në Elbasan me Teutën, ose për takimin që pashë në Elbasan me Shkodrën. Për mua, është ndeshje e trukuar”.

Nuk është fjalia e ndonjë tifozi apo përfundimi i ndonjë raporti dyshues. Kjo fjali ka dalë nga goja e vet zv/kryetarit të Komisionit të Etikës pranë FSHF-së, Bejkush Birçe. Ish-trajneri i Kombëtares e ka thënë hapur mendimin e tij. Birçe ishte një prej të ftuarve të emisionit të së dielës, ku një pjesë e mirë e tij i është kushtuar fenomenit të trukimeve duke marrë shkas nga dyshimet e fundit që janë hedhur për një miqësore të Skënderbeut që ka zhvilluar në Spanjë ndaj ekipit holandez të Ado Den Hag. “Nëse më pyet mua nga ana sportive apo nëse do pyesësh Artanin dhe ndonjë tjetër do të themi që ne e dimë pak a shumë se kur portieri del përpara apo ikën mbrapa dhe e lë gol, siç e la ai në Elbasan”, deklaroi ndër të tjera Birçe. Deklarata e zv/kry etarit të Komisionit të Etikës pranë FSHF-së, Bejkush Birçe, se dy ndeshjet e Elbasanit, respektivisht ndaj Teutës (faza e parë) dhe ndaj Vllaznisë (faza e dytë) gjatë këtij sezoni, kanë qenë sipas tij të trukuara, ka ngjallur reagimet e menjëhershme të klubeve të përmendura në këtë çështje. Një deklaratë jo si gjithë të tjerat, por e dalë nga goja e vetë zv/kryetarit të një komisioni që shqyrton pikërisht çështje të tilla, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të drejtuesve të klubeve të përmendura. Një prej ekipeve është Teuta dhe ka reaguar presidenti i skuadrës durrsake, Edmond Hasanbelliu. Ky i fundit e ka konsideruar Birçen një plak të rrjedhur dhe të papërgjegjshëm për ato që thotë. Numri një i klubit bregdetar i konsideroi të pavërteta akuzat e Birçes:

“Kjo është një akuzë absurde brenda të cilës nuk ka asnjë gjë të vërtetë. Skuadra e ka patur shumë të vështirë për të fituar kundra Elbasanit, pavarësisht rezultatit. Deklaratën e Birçes nuk e marë për të mirëqënë, sepse e konsideroj të papërgjegjshëm, pasi në fund të fundit nuk ekziston asgjë e vërtetë. Nuk dua të merrem gjatë me papërgjegjshmërin e Birçes, sepse kemi probleme të tjera në skuadër", u shpreh presidenti Hasanbelliu.