Vendimi i qeverisë shqiptare për të bllokuar rrjetin social TikTok për një periudhë 1-vjeçare ka ngjallur shqetësim në komunitetin e ekspertëve të teknologjisë, për shkak të përdorimit të teknologjisë “Deep Packet Inspection” (DPI), e cila sipas tyre rrezikon të cenojë privatësinë dhe të dhënat personale të qytetarëve.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka deklaruar se kjo teknologji do të përdoret për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, duke e përshkruar DPI-në si një mjet teknik që identifikon aplikacionet e përdorura, pa përpunuar të dhëna personale.

Por Besmir Semanaj, ekspert i sigurisë kibernetike, në një intervistë për BIRN, thekson se përdorimi i DPI-ve pa një bazë ligjore përbën rrezik të madh për shkelje të të drejtave dixhitale. Sipas tij, kjo teknologji përdoret zakonisht në vende me regjime autoritare, si Irani apo Turqia, për qëllime censure dhe survejimi.

“Nëse vendoset të aplikohet kjo teknologji, është e domosdoshme të ketë një bazë ligjore të qartë,” u shpreh ai.

AKSK nga ana tjetër thotë se DPI-të nuk përpunojnë përmbajtjen e trafikut në internet, por analizojnë informacionin teknik si IP, frekuencën e përdorimit apo destinacionin e lidhjeve, në funksion të ndërprerjes së aksesit në TikTok dhe mbrojtjes ndaj kërcënimeve kibernetike.

Autoriteti shton se DPI është në përputhje me standardet e sigurisë dhe rregulloren evropiane të mbrojtjes së të dhënave (GDPR), por sipas Semanajt, Shqipëria nuk ka legjislacion të posaçëm që të përshkruajë përdorimin, kohëzgjatjen dhe kontrollin mbi këtë teknologji.

Aktualisht, DPI do të instalohet në rrjetet e operatorëve të internetit në vend, në bashkëpunim me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike, si pjesë e masave për zbatimin e vendimit për bllokimin e TikTok.