Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme kërkon autorizimin e Kuvendit për një masë arresti ndaj numrit 2 të qeverisë, që nëse rrëzohet me votë, shënon sipas analistëve të politikës “një shpallje lufte” të mazhorancës ndaj institucioneve të drejtësisë.

Drejtuesi në detyrë i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani i kërkoi të martën Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është nën akuza të përsëritura për paracaktimin e një sërë tenderash me vlerë qindra milionë euro.

Në kërkesë thuhet se SPAK synon të forcojë masat ndaj Ballukut nga ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe pezullimi i ushtrimit të detyrës në arrest me burg/ në shtëpi.

Pasi korri një fitore të debatueshme në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Edi Rama është tashmë në sprovë për raportin e mazhorancës së tij me sistemin e drejtësisë.

Në një koment të shpejtë në rrjetin X, Rama e vendosi tonin te ato që i quajti “arreste pa gjyq” dhe “modë e vrazhdë” e paraburgimeve në Shqipëri, ndërsa nënkuptoi një sjellje të ndryshme nga proceset e tjera të ngjashme.

“…këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi,” shkroi Rama.

Opozita nxitoi të martën ta akuzojë kryeministrin se përmes mbrojtjes së Ballukut po i shpall luftë institucioneve të drejtësisë.

“Një vend demokratik nuk i bën presion drejtësisë duke paralajmëruar përdorimin e forcës së kartonave për të shkelur barazinë para ligjit,“ komentoi deputetja demokrate, Jorida Tabaku duke shtuar: “çdo votë kundër drejtësisë, është votë pro vjedhjes“.

Kuvendi nuk bëri asnjë njoftim publik për kërkesën e SPAK për imunitetin e Ballukut, por BIRN mësoi se deputetët ishin njoftuar që mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet të premten më 19 dhjetor,

Sipas rregullores së Kuvendit, ky Këshill do të shqyrtojë kërkesën e SPAK dhe do t’i japë mundësinë Ballukut që të bëjë mbrojtjen e saj.

Më pas, një raport i hartuar nga Këshilli i Mandateve, i cili i sugjeron Kuvendit të votojë pro ose kundër kërkesës së prokurorisë, votohet në seancë plenare, një proces që duhet të përmbyllet brenda një afati dy javor. Megjithatë, rregullorja parashikon gjithashtu që nëse Kuvendi nuk shprehet me vendim brenda 3 muajve, kërkesa e prokurorisë quhet e rrëzuar.

Mazhoranca e kryeministrit Edi Rama ka mbajtur qëndrime mikse ndaj kërkesave të mëparshme të Prokurorisë për të dorëzuar imunitetin për deputetët e vet.

Në vitin 2018, mazhoranca rrëzoi një kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar asokohe për implikim në trafikimin e lëndëve narkotike. Tahiri dha më pas dorëheqjen dhe vuajti në qeli një dënim për shpërdorim detyre.

Ndryshe nga rasti i Tahirit, mazhoranca i ka pranuar pa asnjë diskutim kërkesat e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit ndaj ish.zv.kryeministrit Arben Ahmetaj dhe deputetëve socialistë, Alqi Bllako dhe Jurgis Çyrbja.

Pavarësisht forcës së kartonëve dhe hapësirave ligjore në dispozicion të mazhorancës, juristët theksojnë se Kushtetuta dhe parimet e shtetit të së drejtës kërkojnë që veprimet e Kuvendit të mos kthehen në pengesë të drejtësisë.

Avokati Gentian Serjani i tha BIRN se procedura konkrete për shqyrtimin e kërkesës për arrestimin e një deputeti është e parashikuar në nenin 118 të Rregullores së Kuvendit, por parashikimet e këtij neni mund të keqpërdoren politikisht nga mazhoranca.

“Ekziston rreziku real që mazhoranca parlamentare, nën ndikimin politik të Kryeministrit Rama, të mos votojë pro, ose të shfrytëzojë afatin tre-mujor të parashikuar në Rregulloren e Kuvendit për të mos marrë asnjë vendim, duke sjellë rrëzimin automatik të kërkesës dhe, për rrjedhojë, mosheqjen e imunitetit të Ballukut,” tha Serjani.

“Një veprim i tillë, ndonëse formalisht i mbështetur në leximin literal të Rregullores, përbën shkelje të frymës së Kushtetutës, cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe minon funksionimin e drejtësisë penale,” shtoi ai.

Serjani sugjeron se nëse Kuvendi do të zgjedhë të përdorë këtë “klauzolë“, kjo do të binte ndesh me jurispudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe me standardet dhe praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Serjani thekson se Kushtetuta jep garanci për barazi para ligjit dhe në këtë rast “imuniteti nuk mund të shndërrohet në instrument mbrojtjeje politike apo personale nga ndjekja penale, pasi një praktikë e tillë do të cenonte besimin e publikut në drejtësi dhe në institucionet përfaqësuese”.

Reforma në Drejtësi u votua në vitin 2016 me konsensus të përbashkët mes mazhorancës socialiste në pushtet dhe opozitës, ndërkohë që Rama e ka përdorur mbështetjen ndaj kësaj reforme si ’trofe’ në çdo fushatë zgjedhore.

Disa herë ai ka premtuar se PS nuk do të bëhet mburojë politike ndaj hetimeve të SPAK dhe se çdo i akuzuar do të përballej me drejtësinë në mënyrë personale dhe jo me pushtet politik, por këto premtime nuk përfshijnë Belinda Ballukun.

Balluku është rasti i parë kur një zyrtare kaq e lartë e qeverisë merret e pandehur nga SPAK me akuza për shkelje të barazisë në tendera me vlerë qindra milionë euro dhe vijon të qëndrojë në detyrë, ndërkohë që kryeministri ka marrë përsipër mbrojtjen e saj juridike dhe publike.

Kërkesa për arrestimin e Ballukut vjen vetëm disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese me kërkesë të kryeministrit Rama vendosi të pezullojë efektet e vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të saj.

Nëse Rama vendos të rrëzojë kërkesën e SPAK për Ballukun, sipas analistëve të politikës, kjo do të ishte një shpallje e hapur lufte për drejtësinë.

Pedagogu i Shkencave Politike, Ermal Hasimja i tha BIRN se nëse mazhoranca e mbron Ballukun, e vetmja gjë që i mbetet Ramës është “përplasja me drejtësinë dhe ndërkombëtarët si sponsorë të saj”.

“Nëse refuzon heqjen e imunitetit, Rama del hapur në përplasjen me drejtësinë,“ tha Hasimja, duke e konsideruar këtë një pikë të rrezikshme për institucionet e drejtësisë.

Edhe për Rigels Xhemollarin, drejtor i organizatës “Qendresa Qytetare“, ky moment do të tregojë nëse Rama do të futet në një përplasje me drejtësinë dhe të shkojë drejt cënimit të reformës në drejtësi.

“Nga pikëpamja politike, nëse Rama vendos 83 mandatet në mbrojtje të Ballukut, kundër interesit publik ky do të jetë edhe fundi politik i qeverisë së tij, pasi mendoj se SPAK ka prova të mjaftueshme që qytetarët janë vjedhur nga veprimet e zv.kryeministres,“ tha Xhemollari.

Edhe pse ai nuk beson se kryeministri do ta refuzojë kërkesën e SPAK, parashikon gjithsesi një retorikë dhe një qasje të re ndaj drejtësisë.

Edhe Xhemollari e sheh një përplasje të Ramës me organet e drejtësisë si përplasje dhe me faktorin ndërkombëtar që mbështet reformën në drejtësi.

“Përveç faktorit të brendshëm, duhet të kemi parasysh edhe mbështetjen e fortë politike dhe teknike amerikane që ka struktura e posaçme e prokurorisë, fakt që ia vështirëson mbrojtjen me mandate të çdo politikani shqiptar të akuzuar dhe faktuar për korrupsion,“ përfundoi Xhemollari./ BIRN