Pakti politik mes mazhorancës dhe opozitës në muajin mars i dha fund protestës së grupimit më të madh të opozitës, i njohur si “Rithemelimi”, pasi mazhoranca pranoi ngritjen e dy komisioneve hetimore dhe një grupi pune për reformën zgjedhore.
Por pavarësisht dakordësisë, asnjëri prej komisioneve hetimore nuk ka avancuar nga puna, duke mbetur peng i përplasjeve politike, debateve për procedurë ose refuzimit të socialistëve për të marrë pjesë në mbledhje.
Mbledhja e fundit e komisionit për sistemin TIMS të hënën përfundoi me largimin e anëtarëve socialistë në shenjë proteste ndaj kryetarit të komisionit, Ervin Salianji, pasi ky i fundit nuk pranoi të hidhte në votim çdo kërkesë për informacion për institucionet shtetërore.
Në një mbledhje të mëparshme me një vendim të ndërmjetëm ishin miratuar në bllok këto kërkesa, por nënkryetari socialist, Toni Gogu e cilësoi atë “një votim paraprak” dhe kërkoi rivotim për secilën kërkesë për informacion.
Nga ana tjetër, Salianji pretendon se PS po kërkon të imponojë forcën e kartonit për të bllokuar punën e komisionit.
“Ne mund të ndahemi tek raporti, por jo tek censura për të kerkuar informacion, nuk duam thonë t’iu lejojmë që të kërkoni informacion, për më tepër që ka vendim komisioni për këtë,” tha Salianji për BIRN, duke akuzuar anëtarët e PS që po i bëjnë presion administratës së Kuvendit për të mos i postuar kërkesat për institucionet.
Ndërkohë, Gogu pretendon se Salianji po e drejton komisionin në paligjshmëri dhe se PS nuk ka synim bllokimin e punës, por vijimin në bazë të ligjit.
“Nuk e braktisim,” tha Gogu për BIRN, duke iu referuar largimit nga mbledhja, ndërsa shtoi se “na detyrojnë, kur nuk hedhin në votim kërkesat për informacion siç e kërkon ligji për komisionet dhe Kodi i Procedures Penale.” Sipas Gogut, është vetë opozita që vonon punën e Komisionit pasi, sipas tij, “e shpenzojnë gjithë kohën për retorike politike”.
Në të njëjtën situatë bllokuese ndodhet edhe komisioni hetimor lidhur me koncesionet e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale dhe kontrolleve Check-Up në shëndetësi, që drejtohet nga deputetja Albana Vokshi.
Në 6 mbledhje të njoftuara në faqen e Kuvendit, vetëm 2 kanë arritur të zhvillohen, ndërsa në 4 mbledhjet e tjera nuk ka pasur kuorum për vijimin e mbledhjes për shkak të mungesës së anëtarëve socialistë.
Në mbledhjen e parë, Vokshi këmbënguli që anëtarët të nënshkruanin deklaratën e konfliktit të interesit duke pretenduar se nënkryetari Plarent Ndreca dhe anëtarja Milva Ikonomi ishin në konflikt me çështjen në hetim.
Vokshi i tha BIRN-it se mazhoranca ka bojkotuar 4 mbledhje, duke e quajtur këtë sjellje të qëllimshme për të bllokuar punën e këtij komisioni.
“Ligji parashikon zëvendësimin e deputetëve që nuk marrin pjesë në 3 mbledhje radhazi dhe i kam kërkuar kryetares së Kuvendit që të marrë masa për të zhbllokuar situatën,” tha ajo.
Ndreca nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN-it për arsyet e mungesës dhe nëse PS ka vullnet për të vijuar hetimin parlamentar, por në daljet publike ai ka akuzuar Vokshin se po e “privatizon” komisionin, duke i cilësuar mbledhjet e thirrura prej saj jo në përputhje me procedurën parlamentare.
Edhe nëse socialistët rikthehen në komision, Vokshi thotë se sërish i frikësohet dështimit të punës për shkak të dispozitave të reja ligjore të miratuara në mënyrë të njëanshme nga PS-ja në ligjin për komisionet hetimore. Ndryshimet e miratuara nga PS në dhjetor kanë reduktuar kompetencën e opozitës për të hetuar përmes një mekanizmi bllokues të vendimeve me shumicën e votave.
“Ata kanë votën bllokuese të shumicës, pasi çdo veprim i komisionit duhet të kalojë në vendime të ndërmjetme,” tha Vokshi duke iu referuar rrëzimit me votë të listës së kërkesave për informacion të propozuar nga opozita.
Ndërsa palët politike fajësojnë njëra-tjetrën, vëzhgues të politikës vlerësojnë se ngritja e komisioneve u përdor si “alibi” për rikthimin e parlamentit në normalitet dhe se të dyja palët po i shfrytëzojnë ato për të legjitimuar pikëpamjet e tyre të paracaktuara.
Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike, një organizatë që monitoron punën parlamentare, i tha BIRN se “mazhoranca po përdor shumicën e votave për të pamundësuar hetimin parlamentar”, ndërsa opozita po i drejton këto komisione “në paragjykim të plotë”.
“Dy komisionet nuk pritet të kenë sukses dhe janë shumë larg nga pritshmëria e madhe që ka publiku shqiptar për një parlament më transparent dhe për të pasur realisht një rritje të rolit të parlamentit në mbikëqyrjen e pushtetit ekzekutiv dhe institucionet e tjera,” tha Krasniqi.
“Do të jetë një shans tjetër i humbur i parlamentit për të ngritur standardet e tij për të ushtruar kontrollin parlamentar mbi institucionet e tjera,” përfundoi ai.