Artan Broci, avokati i zv.drejtorit të OFL-së, Artan Shkëmbi thotë se do të apelojë vendimin e pezullimit të klientit të tij nga detyra. Avokati Broci tha se deri më tani ka vetëm dyshime dhe se vetë Shkëmbi është i interesuar për të zbardhur çështjen.

I pyetur nga gazetarët nëse Shkëmbi kishte përdorur rrjetin EncroChat, një rrjet i sofistikuar i përdorur nga grupi i krimit të organizuar në Evropë, ku janë arrestuar më shumë se 700 persona, ai tha se nuk ka asnjë provë.

“Nuk ka asnjë provë që zoti Shkëmbi ka qenë përdorues apo pronar i një telefoni. Ka dyshime që ne do t’i verifikojmë. Vetë zoti Shkëmbi është i interesuar për ta zbardhur këtë çështje. Ka një karrierë 20-vjeçare. Ka drejtuar 178 operacione shumë të suksesshme. U la në fuqi masa për pezullimin nga detyra për të cilën do të paraqesim ankimim”- tha avokati.

Në muajin mars, autoritetet gjermane kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare verifikimin e pasurisë për një grup të trafikut të drogës dhe një muaj më vonë, ata konstatuar se grupi informohej nga një zyrtar policie.

Për këtë arsye, gjermanët kërkuan hetim në muajin prill, periudhë për të cilën Shkëmbi kandidonte për të qenë drejtues i Byrosë Kombëtare të Hetimit.