Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, zhvilloi një bisedë telefonike me Kancelaren Federale të Gjermanisë, Angela Merkel.
Në fillim të bisedës, Basha e informoi Kancelaren Merkel për arritjen e konsensusit për draftin kushtetues të reformës në drejtësi.
Merkel e përgëzoi Bashën për kontributin e tij dhe lidershipin e treguar në procesin e arritjes se konsensusit, si një kontribut madhor për Shqipërinë dhe shqiptaret. Kancelarja gjermane shprehu bindjen se zbatimi me sukses i reformës në drejtësi do të jetë një ogur i mbarë për integrimin dhe të ardhmen Europiane të Shqipërisë dhe e siguroi kyedemokratin për mbështetjen e saj të plotë dhe të gjithanshme.
Nga ana tjetër, Basha shprehu mirenjohjen e thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme të Kancelares Merkel dhe Gjermanisë ndaj Shqipërisë, në sfidat e rrugëtimit të saj Europian dhe në procesin e reformës në drejtësi dhe e garantoi atë se Partia Demokratike do të vazhdojë të jetë promotore e të gjitha proceseve reformuese duke u udhehequr nga parimet dhe vlerat Europiane. Beteja e Partisë Demokratike në procesin e reformës në drejtësi ka qënë prej fillimit e deri në kurorëzimin e saj me sukses, një betejë për standardet dhe parimet europiane dhe perëndimore të demokracisë, shtetit ligjor dhe për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, theksoi zoti Basha.
Në këtë kuadër, sfida më e madhe që Shqipëria ka përpara, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, theksoi Basha. Kancelarja Merkel e siguroi kreun e opozitës shqiptare për angazhimin dhe ndihmën e saj dhe të Gjermanisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.





