TIRANE, 11 mars 2013– Vdekja ka filluar të zgjedhë njerëzit më të mrekullueshëm për të marrë pranë vetes. Pikërisht këtë gjë ka bërë edhe ditën e djeshme, kur ka marrë nga kjo botë një ndër arkitektët më të mirë, Agron Janon.
Pesha e realitetit shqiptar duket se e ka lodhur profesorin, duke e shtyrë këtë të fundit drejt aktit të vetëflijimit, duke u vetëhedhur nga kati i katërt i pallatit ku jetonte me bashkëshorten e tij. “Kishte mbi dhjetë ditë që rrinte i mërzitur, por askush nuk e mendonte që do arrinte deri këtu”, pohojnë familjarët e 59-vjeçarit. Shtëpia e tij është mbushur plot me miq dhe dashamirës për t’i dhënë lamtumirën e fundit mikut të tyre. “Ishte njeri që prekej lehtë. Nuk ka pasur asnjë problem, por ishte pak i mërzitur sepse prej disa kohësh nuk kishte realizuar asnjë projekt. Kur e pyesje për punën, përgjigjja e tij ishte ‘Çka’, sepse ai priste më shumë kur u vu në krye të Shoqatës së Arkitektëve”, pohojnë familjarët e profesor Agronit.
Askush nuk e ka kuptuar sesi ai ka pasur aq guxim sa për t’i dhënë fund jetës, ndërkohë që para se të ndërmerrte një akt të tillë, ai ka qenë me bashkëshorten në një festë familjare. Dhoma ku ai shpesh ka diskutuar për kushedi sa projekte, pasditen e djeshme ishte e mbushur me familjarë dhe miq të profesorit, në sytë e të cilëve nuk fshihen as lotët dhe as trishtimi për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut të tyre.
Lamtumira
“Nuk kam qenë mirë kohët e fundit. Kam pasur probleme me depresionin”. Këto kanë qenë fjalët që profesori Agron Jano u ka thënë miqve të tij para se të ndërmerrte aktin e vetëflijimit. Miku dhe kolegu i tij, Arben Biçoku ka pohuar për “Gazetën Shqiptare” se nuk kishte vënë re asnjë shenjë tek miku i tij dhe se lajmi për vdekjen e Agronit e ka tronditur shumë.
“E kisha mik, përveçse koleg. E takova dje paradite dhe më tha që kohët e fundit ka pasur probleme me depresionin, madje kishte nisur edhe të merrte ilaçe kundër depresionit. Nuk kuptova asgjë tek ai se mund të arrinte deri në këtë pikë”, – pohon Biçoku. Të njëjtën gjë e pohojnë dhe miqtë e tjerë të kreut të Shoqatës së Arkitektëve, në të njëjtën kohë edhe pedagog pranë Departamentit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin e Politeknikut. “Më vjen çudi si nuk kuptova asnjë gjë për mënyrën sesi ndihej ai, sepse po të kisha kuptuar diçka, nuk do e lija që të arrinte deri këtu. Kemi mbaruar bashkë studimet dhe ai ka qenë student i mrekullueshëm”, – pohon për “GSH”, rektori i Universitetit të Politeknikut, Jorgaq Kaçani.
Një ndër personat që ka folur së fundmi me profesor Agronin, ka qenë miku i tij, arkitekti Artan Shkreli. “E kisha mik dhe bashkë kishim folur për shumë projekte të tij. Kam folur në telefon një ditë para se të ndodhte kjo dhe e lamë që do takoheshim të enjten për të folur për projektet”, – pohon Shkreli. Sipas tij, në gjendjen e tij emocionale ka ndikuar edhe mungesa e realizimit të projekteve. Ndërkohë që Shoqata e Arkitektëve në një deklaratë për shtyp bën të ditur se ditën e sotme, për nder të tij, nga ora 13-14:00 organizohen homazhe pranë Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë.
/AURORA KOROMANI, BalkanWeb/
Dëshmia e bashkëshortes: Pas darkës me 2 miq u afrua te dritarja, më tha “Do hidhem…”
Policia: Dyshohet depresioni, sekuestruam kuti me ilaçe.
Shkreli: Biseda e fundit 2 orë e gjysmë para vetëvrasjes.
Arkitekti tregon telefonatën e fundit ditën e shtunë.
“Unë e dija që ai vuante nga një depresion i lehtë, për të cilin kurohej me antidepresivë”
Kryetari i Shoqatës së Arkitektëve, Agron Jano, vetëvritet duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit ku banonte. Ai i ka dhënë fund jetës në moshën 59-vjeçare, pasi është hedhur nga dritarja e apartamentit të tij, në katin e katërt të një pallati në Tiranë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 20:45, kur Jano dhe bashkëshortja e tij Kristina sapo ishin kthyer në shtëpi. Ata kishin darkuar me dy miqtë e të ndjerit. Vetëm pak minuta pasi ishin futur në shtëpinë e tyre, që ndodhet në rrugën “Sami Frashëri”, pranë selisë së LSI-së, profesori i Inxhinierisë së Ndërtimit ka ndërruar rrobat, duke veshur rrobat e gjumit dhe i është afruar dritares. E shoqja ka parë veprimin e tij dhe i është afruar me dyshim për ta pyetur se çfarë po bënte, kur ai është zgjatur në parvaz. Në kohën kur ajo ishte drejtuar për të shkuar tek i shoqi, Jano i ka thënë që do hidhej dhe bashkëshortja nuk ka arritur ta ndalonte dot. Gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondash dhe 59-vjeçari ka rënë mbi një prag të ngritur me disa shkallë, në anën e djathtë të pallatit, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. E lajmëruar nga bashkëshortja e arkitektit të njohur, Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, por në atë kohë nuk kishte asnjë shpresë jete për 59-vjeçarin. Burime nga grupi hetimor thanë dje se, nisur nga deklarimet e bashkëshortes, por edhe nga një kuti me ilaçe antidepresiv të gjetura në apartamentin e viktimës, dyshohet se ai ka kryer vetëvrasjen në kushte të rënduara psikologjike.
BASHKËSHORTJA
Kristina Jano, bashkëshortja e arkitektit të njohur Agron Jano, ka qenë dëshmitare në vetëvrasjen e të shoqit, si dhe personi që ka lajmëruar Policinë për ngjarjen e rëndë. Ajo nuk ka arritur që ta ndalonte bashkëshortin e saj që të hidhej nga katër kate lartësi, pavarësisht këmbënguljes së saj për ta bindur që të mos hidhej. Ajo është pyetur nga grupi hetimor, jo vetëm si dëshmitare e ngjarjes, por edhe si personi më i afërt i viktimës, që mund të ketë dijeni për motivet e vetëvrasjes. Burime nga grupi hetimor thanë se, nisur nga deklarimet e bashkëshortes së 59-vjeçarit, dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë gjendja e rënduar psikologjike. Sipas të njëjtave burime, mësohet se 3 ditët e fundit Jano ka marrë mjekim me ilaçe antidepresive. Nisur nga deklarimet e të shoqes, mësohet se Agron Jano me bashkëshorten dhe 2 miq të tij kanë qenë duke darkuar në një restorant, deri pak minuta para se të ndodhej ngjarja. E shoqja ka deklaruar se ai nuk ka shfaqur asnjë shenjë të dyshimtë gjatë darkës, madje sjellja e tij ka qenë e zakonshme. Sapo janë kthyer në shtëpi, ai është ndërruar dhe ka veshur rrobat e gjumit e më pas i është afruar dritares. Bashkëshortja e ka parë veprimin e të shoqit dhe e ka pyetur se çfarë po bënte që kishte hapur dritaren. “Do të hidhem”, i ka thënë Jano dhe në kohën që ajo i afrohej duke iu lutur që të mos hidhej, 59-vjeçari është varur në parvaz dhe ka rënë nga 4 kate lartësi. Forcat e Policisë së Komisariatit Nr.2 dhe të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, por arkitekti i njohur kishte ndërruar jetë dhe u transportua drejt morgut të Tiranës.
Shkreli: Biseda e fundit 2 orë e gjysmë para vetëvrasjes
“Unë e dija që ai vuante nga një depresion i lehtë, për të cilin kurohej me antidepresivë”
Mikut të tij, arkitektit Artan Shkreli i ka rënë barra të mbajë fjalën e fundit. I duket e paimagjinueshme. Kishin folur në telefon rreth 2 orë përpara se Agron Jano të kryente aktin e vetëvrasjes. E kishin lënë për t’u takuar ditën e djeshme. Një takim që nuk ndodhi kurrë. Shkreli tregon bisedën e fundit me Janon dhe arsyet që mund ta kenë çuar në vetëvrasje…
Z. Shkreli, ju keni qenë një nga miqtë e arkitektit Agron Jano, si e pritët lajmin e vetëvrasjes së tij?
Është tërësisht e papritur dhe nuk arrij dot ta imagjinoj se si ka ndodhur një gjë e tillë. Tani që e mendoj, kur arriti të vrasë veten Agron Jano, kushdo mund ta bëjë një gjë të tillë. Ai ishte një njeri shumë social, energjik, me shumë projekte.
Cilat ishin angazhimet e tij të fundit?
Përpara 3 muajve, ai u zgjodh me konsensus si kryetar i Shoqatës së Arkitektëve, të cilën e kishte drejtuar edhe më parë. Të gjithë arkitektët ishin dakord, pasi ishte një njeri shumë konsensual. Gjatë gjithë kohës ai ka qenë shumë i angazhuar. Qysh në kohën e diktaturës ka qenë shef i sektorit të objekteve të një rëndësie të veçantë, ka rikonstruktuar ndërtesa të rëndësishme, si Pallati i Brigadave, ka projektuar Katedralen e Fierit, ka realizuar sa e sa panaire, ka qenë pedagog i lëndës së “Kompozimit”… ndërkohë që ka qenë edhe piktor i suksesshëm. Së fundmi ka hapur ekspozita në Tiranë, Itali, Fier…
Kur e keni takuar për herë të fundit?
Hera e fundit që e kam takuar ishte përpara 4 ditësh, por ne folëm edhe dje pasdite dhe e lamë për t’u takuar sot (dje) në Sheraton.
Kur folët me saktësi dhe a dalluat gjatë kësaj bisede ndonjë shenjë që mund të linte dyshime se do të kryente këtë akt të fundit?
Ishte pasdite, ndoshta ishte ora 6 e gjysmë. M’u duk normal, as dukej se kishte ndërmend të vriste veten. Ndoshta kishte një fije nervozizmi, por kjo ndoshta edhe sepse mbledhja më parë ishte shtyrë… Tani ndoshta e lidh edhe me ngjarjen që ndodhi…
Cili ishte qëllimi i takimit?
Do flisnim mbi pikat e mbledhjes së radhës të Shoqatës së Arkitektëve, ku do të diskutonim ndryshimet në Ligjin për Urbanistikën që ka bërë Kryeministri.
Ishit në dijeni se vuante nga depresioni?
Unë e dija që ai vuante nga një depresion i lehtë, për të cilin kurohej me antidepresivë. Por ishte diçka e lehtë.
Cila mund të ketë qenë arsyeja që e shtyu të kryente vetëvrasje?
Nuk di të them. Ndoshta ishte mërzitur nga mungesa e punës, ndoshta ndonjë problem financiar. Përpiqem të mbledh 100 gjëra të vogla për të bërë diçka të madhe… më duket tërësisht e pamundur.
Flet arkitekti dhe pedagogu i Inxhinierisë, Agron Lufi
“Humbëm një prej grafistëve dhe arkitektëve më të mirë”
Një konferencë ndërkombëtare të arkitektëve, ky ishte plani më i afërt i Agron Janit në krye të shoqatës, së cilës vetëm një muaj më parë i kishte marrë drejtimin me vota unanime. Për kolegët dhe ata që e njohin ishte vetëm një nga projektet dhe idetë e tij të lëna në mes, një herë e përgjithmonë. “Telefonatën e fundit me Agronin e kam pasur pardje. Akoma më duket e pabesueshme që një njeri si ai, aq optimist, entuziast për gjërat që bënte, komunikues, të mund të ndërmerrte një akt të tillë. Kur folëm në telefon më tha se do t’i përkushtohej shoqatës këtej e mbrapa”, thotë arkitekti i njohur Agron Lufi, i cili dikur ka qenë edhe pedagog i të ndjerit Agron Jani. “Është e dhimbshme një ngjarje e tillë, me duket e çuditshme që njeriu të ketë kapërcime të tilla. Të gjithë e njohin Agronin për aftësi të veçantë profesionale dhe artistike. Një njeri i qartë në idetë e tij”, thotë Lufi. Sipas tij, si pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë, Jani kishte vite që jepte mësim në lëndën e projektimit-arkitektonik në vitin e parë të fakultetit. “Në krye të shoqatës u zgjodh me vota unanime dhe ishte një person që gjente konsensus me të gjithë. Biseda e fundit që kemi pasur ka qenë iniciativa e tij për një konferencë ndërkombëtare me arkitektet”, tregon Lufi. Ai shton se Agron Jani, si arkitekt ka pasur punë shumë të mira. “Si grafist mund të them pa frikë që ka qenë një nga më të mirët në Shqipëri dhe kjo jo tani, por që në vitet e shkollës. Ka qenë një person që sensin artistik e ka kultivuar me kalimin e viteve”, thotë Lufi. I pyetur nëse kishte vënë re ndonjë ndryshim në sjelljen e Janit kohët e fundit, Lufi thotë se ishte e njëjtë dhe nuk ka vënë re asgjë të pazakontë. “Ishte njeri mjaft aktiv, i shëtitur, e ndjente artin dhe me mjaft projekte, nuk di të them nëse kishte ndryshuar së fundmi”, thotë Lufi. Agron Jani, veç aktivitetit si arkitekt, ka qenë edhe piktor me disa ekspozita personale në vitet e fundit.
Karriera 35-vjeçare e arkitektit dhe profesorit Agron Jano
Prej vitesh drejtonte Shoqatën e Arkitektëve
Arkitekti i njohur, Agron Jano, i cili i dha fund jetës mbrëmjen e së shtunës në Tiranë, ka lindur në Fier më 5 shkurt të vitit 1954. Ai ishte i martuar me gjuhëtaren Kristina Jano dhe nga martesa e tyre ka ardhur në jetë djali i tyre i vetëm Marini, i cili aktualisht kishte përfunduar studimet në Amerikë. Jano është diplomuar si arkitekt në Universitetin e Tiranës në vitin 1977. Që pas diplomimit ai ka ushtruar profesionin e tij, në një karrierë të gjatë dhe të pandërprerë, 35-vjeçare. Krahas aktivitetit projektues si arkitekt objektesh të rëndësishme dhe panairesh në Shqipëri, Francë, Itali, Gjermani, Zvicër, Portugali e Kosovë, ka marrë pjesë edhe në konkurse ndërkombëtare, siç janë: Katedralja Ortodokse e Tiranës, në vitin 2001, ku është vlerësuar me çmimin e dytë; Studimi Urbanistik i Qendrës së Durrësit, në vitin 2005, ku është vlerësuar gjithashtu me çmimin e dytë; Parlamenti i Shqipërisë, në bashkëpunim me arkitektin Mario Campi dhe arkitektin Fabio Reinhart, në vitin 2007, ku është vlerësuar me çmimin e parë. Ka qenë kryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë në periudhën nga vitin 2001 deri në vitin 2008 dhe së fundmi ishte rizgjedhur sërish në krye të kësaj shoqate. Që nga viti 1978 ishte pedagog i jashtëm pranë Departamentit të Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës. Në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Jano ka dhënë lëndën Projektim Arkitektonik fillimisht për studentët e vitit të tretë, ndërsa së fundmi kjo lëndë u jepej studentëve të vitit të parë. Agron Jano ka hapur disa ekspozita vetjake me piktura, si ajo e Komos në Itali (1992-1994), si dhe ka marrë pjesë në disa ekspozita në grup me disa piktorë të njohur, në vitin 1997. Dy vite më parë, Jano hapi një ekspozitë personale me piktura në Muzeun Historik Kombëtar.
/ETLEVA DELIA & NERTILA MAHO, PANORAMA/





