ATHINË, 2 mars 2013 – Kryeministri i Greqisë Antonis Samaras do të jetë në Ankara të hënën (4 mars) dhe të martën, ku do të takojë Kryeministrin e Turqisë Rexhep Tajip Erdogan si dhe do të zhvillojë një seri takimesh kritike që priten të përfshijnë bisedime mbi dallimet e vendeve në eksplorimin e energjisë në ujërat e diskutueshme territoriale, njofton portali “setimes.com”.
Samarasi dhe Erdogani pritet të nënshkruajnë marrëveshje mbi arsimin, çështjet detare, shëndetësinë, turizmin dhe çështje të policisë.
Çështja që pritet të mbizotërojë bisedimet, megjithatë është mosmarrëveshja në vazhdim lidhur me ujërat territoriale. Qeveritë nuk kanë rënë dakord mbi përmasat e ujërave të tyre territoriale apo mbi përcaktimin e shelfit kontinental midis vendeve. Disa ishuj grekë në Egjeun lindor janë vetëm tre milje detare nga bregu turk.
Samarasi tha se Greqia ka të drejtën të kërkojë për depozita të naftës e gazit në Detin Egje për të ofruar energji për vendin e saj dhe Evropën dhe se do të donte që vendi të bëhej një shpërndarës rajonal i energjisë.
Të gjitha vendet duhet të nënshkruajnë Konventën e OKB-së mbi të Drejtën Detare, që lejon vendet detare të vendosin zona ekonomike ekskluzive nga shtrati detar në sipërfaqe deri në 200 milje detare (370 kilometra) nga kufiri i ujërave të tyre territoriale, shtoi ai.
"Greqia ka të drejtën … të deklarojë një [zonë ekonomike ekskluzive] kurdo që të dojë," tha Samarasi.
Por nëse Greqia orvatet të krijojë një zonë ekonomike ekskluzive, kjo mund të kundërshtohet nga Turqia, e cila nuk e ka nënshkruar konventën e OKB-së.
"Lejet e lëshuara nga Turqia nga 2007 deri tani [për kompaninë shtetërore të naftës] TRAO kanë të bëjnë me territoret brenda kufijve të shelfit kontinental të Turqisë në Mesdheun Lindor," tha Ministria e Jashtme turke, duke shtuar se Turqia ka një të drejtë sovrane të kryejë shpime në zonë.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/