Kremlini paralajmëroi sot se Rusia nuk do të shesë kurrë territoret ukrainase që zotëron, rreth 20% të Ukrainës, pasi rusët dhe amerikanët kanë filluar bisedimet dypalëshe për t’i dhënë fund konfliktit.
“Gjëja më e rëndësishme për ne është se njerëzit në këto territore kanë vendosur prej kohësh të bashkohen me Rusinë. Dhe askush nuk do t’i shesë kurrë këto toka”, tha zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov në televizionin shtetëror.
Krahas kësaj, Kremlini e konsideroi “premtues” dialogun midis Vladimir Putin dhe Donald Trump, ku ky i fundit shfaqet gjithnjë e më armiqësor ndaj Ukrainës në një kohë kur Moska dhe Uashingtoni po negociojnë një samit.
“Dialogu po zhvillohet mes dy presidentëve vërtet të shquar. Kjo është shumë premtuese. Është e rëndësishme që asgjë të mos ndërhyjë në zbatimin e vullnetit të tyre politik”, tha Dmitry Peskov kur u pyet në televizion për vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara ndaj Kievit dhe komentet armiqësore të Trump ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Për më tepër, Kremlini e përshkroi si “plotësisht të kuptueshëm” reagimin armiqësor të presidentit amerikan Donald Trump ndaj homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky, të cilin presidenti amerikan së fundmi e përshkroi si “diktator”.
“Zelensky bën deklarata të pasakta për krerët e shteteve. Ai e ka bërë atë në mënyrë të përsëritur. Asnjë president nuk do ta toleronte këtë lloj trajtimi. Prandaj ky reagim është plotësisht i kuptueshëm”, theksoi ai .
Zelensky ka argumentuar se presidenti amerikan po jeton në një “hapësirë dezinformimi” ruse pasi Donald Trump fajësoi Ukrainën për pushtimin rus më 24 shkurt 2022.