Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, pritet të mbërrijë të martën në Tel Aviv, megjithëse udhëtimi nuk është konfirmuar zyrtarisht as nga Uashingtoni dhe as nga autoritetet izraelite.
Autoriteti i Aeroporteve të Izraelit ka paralajmëruar për kufizime në qarkullimin rrugor dhe ndryshime operacionale në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion, në orarin mes 10:30 dhe 13:30, në kuadër të përgatitjeve për vizitën.
Në njoftimin e bërë publik, theksohet se gjatë këtij intervali kohor priten ndërprerje të qarkullimit përreth aeroportit dhe se disa fluturime do të zhvendosen në terminale të tjera, për të siguruar funksionimin normal të aeroportit.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një deklaratë zyrtare nga Shtëpia e Bardhë apo nga Zyra e Kryeministrit të Izraelit që të konfirmojë zyrtarisht këtë vizitë.
Ndërkohë, sot në Izrael kanë mbërritur edhe Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Në frontin diplomatik, një delegacion i Hamasit ndodhet aktualisht në Kajro, ku po zhvillon bisedime me zyrtarë nga Katari dhe Egjipti, me qëllim ruajtjen e armëpushimit të brishtë në Rripin e Gazës.
Bisedimet zhvillohen në sfondin e sulmeve të fundit izraelite ndaj objektivave të Hamasit në Gaza, të cilat ndodhën një ditë pasi disa ushtarë izraelitë u vranë në një sulm që Izraeli e cilësoi si “shkelje flagrante” të armëpushimit.
Hamas ka mohuar të ketë dijeni për sulmin dhe, nga ana tjetër, ka akuzuar Izraelin për shkelje të marrëveshjes, e cila është në fuqi që nga data 10 tetor.
Sipas burimeve, delegacioni i Hamasit kryesohet nga Khalil al-Hayya, dhe organizata ka njoftuar se bisedimet do të përfshijnë edhe pasojat e sulmeve ajrore që kanë shkaktuar dhjetëra viktima në Gaza.
Gjithashtu, priten edhe takime me autoritetet egjiptiane, në kuadër të përgatitjeve për një dialog të brendshëm palestinez, që ka për synim bashkimin e fraksioneve palestineze.





