Gazeta britanike “The Sun” ka mundur të sigurojë dhe publikon sot disa imazhe të disa shqiptarëve të burgosur në burgjet angleze të cilët shikohen duke pirë marijuanë, për të cilët shkruan se: të dënuarit shijojnë një jetë luksoze, në vend që të vuajnë…

“The Sun” shkruan ndër të tjera se personat në video i përkasin grupit të tmerrshëm HELLBANIANZ të cilët operojnë në zonën Barking në Lindje të Londrës.

Këto video janë postuar në rrjetet sociale shoqëruar me komente të ndryshme. Madje në njërën prej tyre dëgjohet muzikë dhe i burgosuri shqiptar thotë se paçka janë të izoluar me mure të larta, shqiptarët në burgjet angleze janë si luanë.

Personi në video, një anëtarë i grupit HELLBANIANZ njihet me pseudonimin Skilla. Në një video të dytë publikuar në ‘Instagram’ dhe siguruar nga ‘The Sun’ shoqërohet me komentin “Bishat në burg njësoj si në Alkatraz por ajo çfarë i mungon në burg janë vetëm femrat”.

Në një prej komenteve, shqiptarët sulmojnë edhe familjen mbretërore britanike: “Në djall qeveria dhe mbretëresha… dua t’i shoh të gjithë shqiptarët jashtë burgut”.