11 km nga Durrësi shtrihet plazhi Bisht Kamzës, destinacion që po lakmohet shumë nga pushues vendas, qytetarë nga Durrësi e Tirana, emigrantë dhe turistë të huaj. Plazhi në këtë zonë është mjaft i preferuar për shkak të pozicionit shumë të mirë gjeografik, ujit të pastër, brezit të gjerë të rërës, kurorës së gjelbërt të pyllit me pisha, shërbimit me çmime të lira në restorante etj. Vit pas viti numri i pushuesve këtu sa vjen e shtohet.
Pushues të shumtë vendas dhe të ardhur nga rrethe të tjera si dhe emigrantë e kosovarë kanë nisur prej dy-tre vitesh të frekuentojnë shumë plazhet që shtrihen në veri të qytetit të Durrësit. Mungesa e higjenës në rërë, ndotja e detit nga ujërat e zeza, zënia e sipërfaqeve nga plazhet private, zhurmat e forta gjatë ditës e natës kanë bërë që pushuesit të kërkojnë të tjera vende pushimi në Durrës duke iu larguar gjithnjë e më tepër plazhit të madh apo Currilave.
Qytetarët tiranas, por jo vetëm ata, tashmë kanë si destinacion kryesor Gjirin e Lalëzit apo edhe Hamallen, ndërsa një pjesë gjithnjë në rritje e pushuesve kanë “zbuluar” plazhin në Bisht Kamëz. Ky plazh shtrihet rreth 11 km në veri të qytetit të Durrësit dhe përgjithësisht njihet si plazhi i sektorit Rinia. Rëra, deti, lokalet, kurora e gjelbërt në hyrje të plazhit, lokalet e ndërtuara të gjitha në dru sa vijnë e bëhen më të lakmueshme për pushuesit.
Fillimisht kanë qenë vendasit, banorët e fshatit Rinia apo të tjerë nga Fllaka e Xhafzotaj që pushonin në këtë bregdet, por shumë shpejt plazhi nisi të thithë si me magji edhe pushues nga Durrësi, zona periferike e Tiranës, Vorës, Fushë-Krujës, Krujës, ndërkohë që për shumë kosovarë e emigrantë Bisht Kamza është bërë vendi ndjellës për pushime të qeta.
Rruga nga Durrësi deri në kurorën e gjelbëruar me pisha, akacie e bredha në të gjithë gjatësinë prej 11 km ka vetëm një kthesë. Nëse ndjek drejtimin nga qendra drejt Shkozetit do të kthehesh në Nish Tulla. Të tjerë që përshkojnë rrugën drejt Spitallës kanë vetëm kryqëzimin në Shën Vlash dhe më pas përfundojnë në bregun e Bisht Kamzës.
E gjithë rruga përshkohet në 10 minuta, megjithëse fluksi shumë i madh i qarkullimit të autoveturave, furgonëve, autobusëve e kanë dëmtuar vende-vende asfaltin duke e bërë të nevojshëm rikonstruksionin. Shumëkush që shkon për herë të parë befasohet. Përgjithësisht plazhet e vendit tona janë të zhurmshme, me njerëz që rendin për të gjetur një copë vend për të ngulur çadrën, të tjerë që nuk gjejnë parkim automjeti, tregtarë ambulantë që trazojnë vend e pavend qetësinë e pushuesve, bori e sirena që kërkojnë t’u lirohet rruga, amulli e kaos.
Këtu në Bisht Kamëz gjërat janë krejt ndryshe, ndonëse po të hipësh mbi kulmet e lokaleve qyteti i Durrësit duket si në pëllëmbë të dorës. Sapo afrohesh në fshat gjëja e parë që të del para syve është kurora e gjelbër. Edhe pse sinjalistika mungon dhe askund nuk shikon ndonjë reklamë a publicitet, orientimi është i lehtë.
Me t’iu afruar brezit me pisha ndihet era e detit dhe shpaloset laguna, e cila ndahet thuajse në mënyrë të barabartë nga rruga. Kurora e gjelbër nis në pikën skajore të Porto Romanos dhe vijon deri afër grykëderdhjes së lumit Erzen në det. Gjerësia e pyllit të dendur diku zgjerohet dhe diku ngushtohet. Vende-vende janë ndërtuar lokale të cilat frekuentohen me të çelur pranvera deri në vjeshtën e dytë.
Me të lënë pas pyllin për të shkuar drejt brezit të rërës nga fshati Rinia duhet përshkuar rruga prej 1.2 km. e cila është e pasafaltuar. Pushuesit që pëlqejnë ta kalojnë në këmbë rrugën e paasfaltuar, ecin zbathur duke shkelur në mëngjes në pluhurin e freskët, kurse në mesditë pluhuri përvëlon si dhe rëra.
Në të dy anët shtrihet laguna e cila është harta-harta me gjire e parcela toke të gjelbëruara të krijuara nga baticat e zbaticat e detit. Në orët e para të mengjesit laguna zbardhet e gjitha nga pulëbardhat, pëllumbat e lejlekët që fluturojnë ulët për të gjetur ushqim, ndërsa në orët e pasdites së vonë këta shpend fluturojnë mbi kokat e pushuesve duke krijuar një pamje mahnitëse.
Mbrëmja në këtë plazh afron supriza pasi peisazhi është magjepës. Dielli ulet nën kodrën e Bisht Pallës duke reflektuar në det, kurse pulëbardhat lozin lehtë-lehtë mbi valë duke gjarpëruar poshtë e lartë. Tek-tuk, teksa përshkon rrugën e pluhurosur, pushuesi hutohet për minuta të tëra duke ndjekur peshkatarë të fshatit që u kanë ngritur peshqve pusi me rrjeta.
Gjahtarët zbaviten, por edhe fitojnë ngaqë gjahu i tyre është i sigurtë. Me të hyrë në zonën e plazhit orientimi bëhet lehtë, pa qenë nevoja e punonjësve të lokaleve. Mjetet parkohen të gjitha për një dhe ngjishen me litarin e vendosur si kufi për të ndarë rërën nga pjesa e parkimit. Litari i tendosur ndërpritet në çdo tre metër duke krijuar portën për të hyrë në rërë e që aty në det.
Automjetet vendosen në rresht për një, dy e tre, ndërsa në ditët e shtuna e të diela rreshtat janë edhe më shumë, por në asnjë rast rrugët për të hyrë e për të dalë nuk bllokohen. Askush nuk paguan asnjë qindarkë për hyrjen në zonën e plazhit, ndërkohë që çdo mjet është i garantuar në ruajtje nga punonjësit e lokaleve.
Pushuesit mund të zgjedhin vetë dhe lehtësisht nëse pëlqejnë të pushojnë në shezllone apo në hapësirat e tjera me çadrat e tyre. Pagesa është 200 lekë-300 lekë për një çift shezllone me çadër. Parcelat janë thuajse simetrike. Në to bie në sy hapësira shumë e gjerë që është lënë mes çadrave, apo dhe minifushat e futbollit e volejbollit në rërë, ndërkohë që ka disa kënde lojrash për fëmijë.
Plazhi në Bisht Kamëz ka veçoritë e veta. Kështu veç sipërfaqes së bollshme me rërë, plazhi është i cekët, pa leshterikë e pa gurë, shumë i pastër dhe fryn erë e lehtë thuajse çdo ditë duke e mbajtur të freskët gjithë vijën bregdetare pavarësisht temperaturave të mjedisit. Familjarët që shoqërohen me fëmijë janë më të garantuar, pasi të vegjlit mund të futen në det për disa metra, ndërsa nuk ka gropa që mund të shkaktojnë rrezik mbytje.
Nga fillimi e deri në fund, për rreth 13 km gjatësi, të vetmit që përshkojnë plazhin janë pushuesit, ndërsa çdo mjet nuk mund të kapërcejë litarin e tendosur në krye të tij. Plazhit nuk i mungon uji i pijshëm i mundësuar me investimet e pronarëve të lokaleve apo edhe nyjet sanitare me tualete të bollshme jashtë lokaleve.
Këto si dhe shërbimi me kulturë e ushqimet cilësore të ofruara në lokale kanë bërë që plazhi i Bisht Kamzës, i njohur edhe si plazhi në sektorin Rinia dhe ai i Fllakës të regjistrojnë vit pas viti frekuentues të shumtë të rinj. Gjatë gjithë sezonit nuk sheh uniformë polici të duket në këtë anë, ndërsa nuk ka ndodhur që të ketë qoftë një pushues për t’u ankuar për ndonjë sherr, vjedhje, dëmtim të makinës apo grabitje. Rendi e qetësia garantohen nga lokalet që mbikqyrin çdo gjë pa u rënë në sy të pushuesve.
Këtë vit plazhet shqiptare kanë pasur më pak pushues se vitet e tjera për shkak të krizës në rajon dhe në Shqipëri. Megjithatë pronarët e lokaleve shprehen të kënaqur. Të parët që urojnë mirëseardhjen janë personeli i lokalit “Vllazëria” me pronar Avni Shahinin. Ata orientojnë çdokënd duke komunikuar me mirësjellje dhe duke iu përgjigjur kërkesave të pushuesve.
Të tjerë pushues shkojnë drejt lokalit “Deti”, “Genti” e kështu me rradhë. Bizneset këtu janë të gjitha të liçensuara dhe të punësuarit të siguruar. Pronarët tregojnë pagesat e rregullta duke pohuar se çdo shërbim në bar, bufe e kuzhinë afrohet me faturë tatimore të nxjerrë nga kasa fiskale. Çdo pronar ka mënjanë edhe blloqet me shënimet e viteve të kaluara duke bërë në këtë mënyrë bilancin për çdo sezon vere.
Shërbimet
Shpëtim Peposhi është një nga punonjësit që shërben në mjedisin e jashtëm të lokalit “Vllazëria”. Ai zgjohet herët dhe kthehet vonë në shtëpi. Punën e nis në të gdhirë dhe e mbyll pas orës 22. Kujdeset për hapjen e mbylljen e shezlloneve, pastrimin e rërës, vendosjen e koshave të mbeturinave, sigurinë e mjeteve etj.
Mjafton të pushosh 2-3 ditë dhe me Peposhin miqësohesh. Përshendetja, kujdesi, fjalori i përdorur prej tij të bëjnë për vete. Nuk pushon asnjë çast. Ndjek me vëmendje edhe të dhënat për motin që jepen nga televizonet shqiptare dhe stacionet e huaja. Është i lidhur ngushtësisht me plazhin. Me përvojën e fituar të garanton nëse do të ketë erë e dallgë apo jo.
Nuk përton të shoqërojë fëmijët për të blerë apo për t’u shërbyer pushuesve sipas rasteve. Ai tregon se i gjithë personeli është i përkushtuar për të bërë më të mirën e mundshme. Në sipërfaqen e rërës dhe të shezlloneve që ai mbulon nuk gjen një copë letër. Çadrat pastrohen çdo ditë. Kreh rërën dhe lan rregullisht koshat.
Peposhi tregon se për shkak të shërbimit dhe pastërtisë pushuesit shtohen çdo vit. “Ne kujdesemi për çdo gjë. Këtu nuk ka ndodhur që t’i ketë humbur dikujt ndonjë gjë, sado e vogël. Të gjithë janë të kënaqur dhe kjo na gëzon edhe ne. Lodhemi pasi punojmë shumë, por ndihemi mirë kur mendojmë se kemi bërë shërbim të pëlqyer”,-tregon Shpëtim Peposhi.
Pronarët e lokaleve gjatë gjithë plazhit nga Bisht Kamëz deri në derdhje të lumit Erzen kanë investuar për ujin e pijshëm, ndërsa çdo lokal ka ndërtuar 4-5 nyjë sanitare jashtë lokalit duke garantuar pastërtinë e detit. “Uji i pijshëm është me analiza laboratorike, i lehtë dhe brenda të gjitha normave. Pusi është hapur me sondë. Është dashur të kërkohet deri në 140 m thellë, prej të cilave 40 m në gurë shkëmbor.”,- më thotë Peposhi.
Nuk ndodh në asnjë rast ndotja e detit nga ujërat e zeza. Lokalet e baret kanë gropa septike të mëdha e të mbuluara. Qetësia është e përditshme si në rërë edhe në lokale; si ditën edhe në orët e mbrëmjes apo natën. Pushuesit qëndrojnë në breg të detit, jashtë në lokale apo shëtisin përgjatë bregut deri në mesnatë duke u shoqëruar nga qetësia e plotë.
Peposhi thotë se shërbimi për pushuesit nis me 1 maj dhe mbyllet me 1 tetor. Vijnë edhe familjarë me çadra të cilët ngrenë kampingje. Shpesh ndodh që pushuesit të kalojnë jo pak orë ne kurorën e gjelbër të fshatit. Kryesisht në orët e drekës pylli i dendur mbushet plot. Ndonëse nuk ka ndonjë tabelë apo person i cili merret me ndarjen e zonave, familjarët qëndrojnë veçmas çifteve apo të rinjve të cilët argëtohen në thellësi apo në lëndinat e vogla të rrethuara nga drurët e shkurret.
Prania e një kurore të tillë e bën edhe më të lakmuar plazhin në sektorin Rinia. Fshati deri në vitet 1993-1994 ka pasur fare pak shtëpi, diku tek 5-6 të tilla. Më pas nisi popullimi kryesisht me banorë të ardhur nga veriu, tokat e të cilëve u përmbytën nga Liqeni i Fierzës. Pikërisht këta banorë janë edhe “pronarë” të pyllit.
Ata e ruajnë me kujdes, nuk kanë lejuar të ndërtohen lokale e bare brenda kurorës së gjelbëruar dhe as të priten pishat e pemët e tjera. Herë pas here nxënës të shkollave të mesme bëjnë piknik në pyllin e dendur. Banorët kanë zgjidhur edhe çështjen e higjenës së pyllit. Të rinjtë e fshatit kujdesen për pastërtinë duke larguar e djegur mbeturinat e lëna nga pushuesit.
Në çdo fillim sezoni pronarët e lokaleve e nisin punën me pastrimin e pyllit, plugimin e rërës dhe dezinfektimin e saj. Kjo u jep mundësi për klientelë të mbarë.
Investimet
Investimet në lokale e bare janë simbolike. Në të gjithë gjatësinë e plazhit prej 13 km, lokalet mund të numërohen lehtësisht. Toka këtu nuk ka qenë pa zot. Kjo vihet re në faktin se çdo pëllëmbë tokë është blerë me “flori”, siç thonë disa nga pronarët e lokaleve.
Toka u është blerë peshkatarëve në shuma të konsiderueshme, ndonëse pa ndonjë dokument të dalë nga zyra e regjistrimit të pasurisë. Dikush ka paguar jo pak, por 25 mijë euro. Fjalë goje e nënshkrime burrash në një letër, e cila është bërë në disa kopje. Megjithatë marrëveshjet gjore kanë pasur peshën e tyre ngase palët kanë respektuar kontratën me firmat përkatëse.
Lokalet janë thuajse të gjitha prej dërrase dhe lehtësisht të çmontueshëm, ndërsa tek-tuk sheh ndonjë objekt të ngritur në beton e hekur. Komuna e Katundit të Ri është treguar e vendosur për të mos lejuar asnjë centimetër tokë në rërë të betonohet dhe pronarët e lokaleve kanë respektuar deri në një këtë vendim. Pjetër Visha ka ardhur nga Berisha e Pukës për të ushtruar biznesin e tij në këtë plazh.
E ka blerë nga të tjerë lokalin dhe tani është vetadministrator. Ai tregon se me këtë aktivitet mban familjen të përbërë nga shumë anëtarë, ndërsa thotë se është shumë i kënaqur me fitimet që i sjell biznesi i tij. Visha pohon se investon çdo vit për të përmirësuar cilësinë e shërbimit për pushuesit, ndërsa rregullisht paguan të gjitha detyrimet në komunë, tatime e sigurime.
Një tjetër pronar lokali në këtë bregdet të lakmuar kohët e fundit për pushime të qeta është Sadik Doçi. Ai e administron bar-restorantin e tij “Genti” bashkë me djemtë. Në të janë punësuar edhe të rinj nga fshati. Doçi shprehet se është vështirë të gjendet në vendin tonë një plazh me ato vlera që afron Bisht Kamza. Lokali tij është 600 m2 dhe për ta ndërtuar e vënë në funksionim të plotë i janë dashur të shpenzojë afro 200 mijë euro.
Asgjëkund në këtë ndërtesë nuk sheh gur, beton, hekur apo gozhdë. Çdo gjë me dru, dërrasë, pyka druri, ristela, thupra dhe material ngjitës. Lokali brenda e jashtë ofron pamje të këndshme pasi çdo centimetër është punuar në mënyrë artistike. Doçi tregon se 1 m2 për ndërtimin e çatisë i ka kushtuar 22 mijë lekë, ndërkohë që çdo gjë e blerë është e kushtueshme.
Kushtet janë shumë komode, ndërsa pajisjet e kuzhinës janë cilësore dhe të standartit të kohës. Jo pak kanë kushtuar pemët dekorative, ndërtimi i lulishteve, transporti i dheut, ndërtimi i kabinave të vogla, vendparkimet e të tjera shërbime. Lokali është 130 larg nga bregu, hapësirë e lënë qëllimisht. “Plazhi privat me shezllone është 300 m2, kurse plazhi publik 3000 m2, pra 10 herë më i madh, ndërsa ne kujdesemi për pastërtinë si tek njëri edhe tek tjetri”,- deklaron Doçi.
Nuk mungon gjë prej gjëje: uji, drita, siguria, pastërtia, shërbimi, çmimet e leverdishme, dushet, banjot. Pronari i lokalit “Genti” thotë se më shumë se 200 familje ushqehen me punësimin e burrave, grave, djemve e vajzave në bizneset modeste të plazhit. Komuna ka kërkuar që lokalet të jenë 100 m larg nga bregu, ndërsa pronarët janë shtyrë edhe 30 m të tjera duke krijuar hapësira pafund me rërë.
“Jemi të bindur se numri i pushuesve do të shtohet ndaj të gjithë kemi vendosur të mos prekim me ndërtim asnjë pëllëmbë tokë me rërë”,- deklaron ai. Në lokalin e tij vijnë jo vetëm të njohur apo shqiptarë, por edhe turistë të huaj, madje ka pasur edhe francez, polak, ukrainas, boshnjak, serb.
“Turistët sjellin njëri-tjetrin këtu, pasi u pëlqen vendi dhe shërbimi. Ndodh të ndërtojnë kampingje këtu afër dhe ne u shërbejmë me kuzhinën tonë, ndërsa u garantojmë pa shpërblim siguri për ta dhe për automjetet. Ushqimet tona janë të freskëta dhe pushuesi është i lirë të shikojë si gatuhet porosia e tij dhe kjo na ka shtuar frekuentuesit”,- tregon pronari i lokalit “Genti”.
Kafja në lokal e shezllon kushton vetëm 50 lekë e shoqëruar me ujë të freskët e të ftohtë tregues shumë i drejtpërdrejtë i politikës që ndjekin bizneset këtu për të shtuar klientët. Më tej ai pohon se respekton me përpikmëri ligjet, detyrimet dhe vendimet e komunës.
“Për çdo gjë mendoj sikur të jem unë shteti, komuna, pushuesi, turisti, fëmija dhe i rrituri. Paguajmë çdo detyrim dhe shërbejmë me përkushtim. Ndaj kam investuar shumë të madhe, që të afroj cilësi. Por kjo më ka dhënë edhe fitime të kënaqshme”,- vijon të rrëfejë Doçi.
Çmimet në restorant janë vetëm 3 përqind më të larta sesa në lokalet e fshatit. Analizat e ujit të pijshëm bëhen rregullisht.
Ushqimi
Kuzhinat përgjithësisht afrojnë ushqime tradicionale, ndërsa ka edhe kuzhinë italiane me makarona, fruta deti, karkalecë. Pronari i lokalit “Deti”, Petrit Brati, pohon se kujdes më vete i është kushtuar gatimit, cilësisë, higjenës dhe shërbimit në kohë të shpejtë. Veç pijeve alkoolike, verës, pijeve të fresketa çdo gjë tjetër është me porosi.
Restorantet nuk gatuajnë paraprakisht asnjë lloj ushqimi. Gjithçka porositet dhe gatuhet në çast. “Kemi zinxhirë furnizimi. Perimet, frutat, zarzavatet merren në orët e para të mëngjesit në treg. Mishi porositet dhe kuzhinieri shkon vetë tek kasapi për të qenë aty në kohën e prerjes së kafshës. Po ashtu edhe peshku. Disa nga lokalet kanë peshkatarët e vet, të tjerët porosisin peshkatarët”,- thotë Brati.
Personeli shërben me uniformë, kurse kuzhinierët janë të gjithë të arsimuar dhe të kualifikuar për shumëllojshmërinë e gatimeve. Brati tregon se inspektorët e ushqimit, tatimorët dhe ata të higjenës i vizitojnë shpesh lokalet e tyre. Pronari i bar-restorant “Deti” shprehet se zbatojnë me vëmendje çdo sugjerim që bëjnë specialistët përkatës dhe se komunikimi me ta është shumë i hapur.
“Ata hyjnë ku të duan pa qenë e nevojshme të marrin lejen tonë, por edhe ne i ftojmë të shohin vendin e gatimit, cilësinë, vulën e mishit, analizat e laboratorit, higjenën brenda në lokale dhe në tualete”,- tregon Petriti. Kriza si gjithandej është ndier edhe këtu, megjithatë ata e pranojnë dikush me zë e dikush tjetër nën zë se fitimet kanë qenë të mbara.
“Një tavolinë me emigrantë vitin e kaluar shkonte 50-60 euro, ndërsa sivjet 30-40 euro apo edhe më pak, megjithatë nuk kemi pse të qahemi”,- thotë Brati. Në fundjavë xhiro ditore e një lokali, gjithnjë sipas shënimeve që mban rregullisht pronari i restorantit “Deti”, variojnë nga 80 mijë lekë deri në 110 mijë lekë të reja, ndërsa fitimi është diku tek 30-35 përqind.
Peshku kocë, levrek, gjuzë, merluc, barbun, sepje, karkalec është preferencë për shumë pushues dhe emigrantë, të cilët pëlqejnë përgjithësisht kuzhinën italiane. Të shtunat e të dielat janë ditët me ngarkesën më të madhe të punës. Nga mëngjesi e deri në ora 14 nuk pushon vargu i makinave duke e populluar së tepërmi plazhin në këtë anë të Durrësit. Kjo u shton fitimet lokaleve, por edhe tregtarëve ambulantë.
Këta të fundit i kanë ndarë vetë zonat dhe në ndryshim nga ajo që vihet re në disa plazhe të tjera, këtu tregtarët nuk sjellin aspak bezdi për pushuesit ngase nuk shkojnë çadër më çadër. Ata qëndrojnë diku në anë të bregut dhe vetëm kur ndonjë pushues i kërkon për të blerë afrohen e futen mes rreshtave me shezllone e çadra.
RRUGA
Rikonstruksioni i domosdoshëm
Plazhi i Bisht Kamzës sapo ka nisur të tërheqë vëmendjen e pushuesve. Të gjitha investimet për ujë, drita, higjenë, rrugë, kanalizime janë në sajë të financimeve private. Komuna e Katundit të Ri këtu ende nuk ka hyrë me investime. Janë disa probleme që kërkojnë deri diku zgjidhje të ngutshme. Rruga nga Shën Vlashi, rreth 4 km, deri në fshat është e asfaltur. Por prej dy vitesh rrënimi saj sa vjen e bëhet më i dukshëm. Në të djathtë të rrugës gjendet një kanal i madh e i thellë përgjatë gjithë gjatësisë dhe që shërben për kullimin e tokave. Jo vetëm rruga që është shembur në disa vende, por edhe shtyllat elektrike janë shtrembëruar dhe rrezikojnë të rrëzohen plotësisht. Kjo ka ndikuar në hezitimin e jo pak pushuesve për të kaluar për herë të dytë në atë segment duke i detyruar të kërkojnë plazhe të tjera vetëm për shkak të prishjes së asfaltit dhe shembjeve. Nga fshati deri në brezin e rërës rruga është 1.2 km, por e paasfaltuar. Pluhuri ndot mjetet, pushuesit dhe kryesisht atë kategori pushuesish që janë akomoduar në banesat e fshatit dhe që e përshkojnë në këmbë këtë rrugë. Bizneset dhe banorët e fshatit në sektorin Rinia kërkojnë gjithashtu vendosjen e një grafiku të rregullt për largimin e mbeturinave urbane, shtrimin e rrjetit të ujit të pijshëm, ndërtimin e kabinave për transformatorë energjie elektrike dhe pastrimin e lagunës. Por një kërkesë ende e pazgjidhur në vite nga ana e komunës është edhe çështja e lejeve provizore të ushtrimit të aktivitetit nga tregtarët. Komuna lejet i afron vjetore dhe po vjetore u vjel taksat, ndërsa pronarët e lokaleve kërkojnë që afati i shfrytëzimit të jetë 5 apo 10-vjeçar. Këtë ata e justifikojnë me mundësinë për të investuar më shumë dhe një periudhë e gjatë kohe shfrytëzimi u krijon më shumë siguri. Ata ia kanë bërë të ditur kërkesat edhe kryetarit të komunës Hil Priskës me të cilin kanë krijuar raporte shumë pozitive komunikimi.