Tiranë, 1 gusht 2014 – Ardian Bitraj, njeriu që ka vjedhur shuma të konsiderueshme lekësh nga Thesari i Shtetit ka qënë personi që mbante tre çelësat kryesorë të kasafortës ku mbahen lekët e shtetit shqiptar.
Tre kopjet e çelësave, mbaheshin prej tij gjatë orarit zyrtar dhe jo zyrtar të punës, duke krijuar mundësi që ai të vidhte paratë thuajse çdo ditë nga kasaforta.
Sipas rregullores këto tre çelësa duhet të mbaheshin nga Bitraj dhe dy specialistë të tjerë, dhe pasi të mbyllej orari zyrtar i punës, çelësat e kasafortës duhet të mbylleshin në një kasafortë tjetër, me qëllim shmangien e çdo mundësie për vjedhjen e parave të Thesarit të Shtetit.
Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, duke ia lënë çelësat parave të shtetit një bixhozxhiu.
Sipas prokurorisë së Tiranës, Dhimitër Davidi kishte detyrën e vëzhguesit-operator. Ai mbikqyrte kamerat e sigurisë dhe raportonte për çdo anomali.
Nga ana e prokurorisë së Tiranës është kryer kqyrja e kamerave të sigurisë, nga të cilat rezulton se vëzhguesi-operator i ka parë veprimet e shtetasit Ardian Bitraj, i cili mbushte thasë plastikë me kartmonedha në magazinën e stokut dhe nuk e ka raportuar.
I pandehuri kryesor, Ardian Bitraj, pasi i merrte para me thasët plastikë, shkonte në tualetet e ndërtesës dhe paratë i fshihte në trup, poshtë rrobave.
Të arrestuarit një ditë më parë
Policia e Tiranës ka vënë në pranga pesë punonjës të Bankës së Shqipërisë, të cilët mendohen të kenë lidhje me super vjedhjen e këtij institucioni, ndërkohë që një punonjës është shpallur në kërkim.
Sipas informacioneve, mësohet se në pranga mbrëmjen e sotme kanë rënë Petrit Ramohitaj, përgjegjës arke, Liljana Tusha, specialiste e Arkës në Veprim, Lavdim Cani, specialist i Arkës së Stokut, Myzejene Belba, specialiste, Dhimtër Davidi, vëzhgues i kamerave të sigurisë. Ndërkohë, nuk dihet emri i personit të shpallur në kërkim.
Arrestimi i punonjësve, u bë me urdhër gjykate. Mbrëmjen e së mërkurës policia ka bërë të mundur dhe arrestimin e Klevis Bejtja, nipi i Ardian Bitraj, i akuzuari kryesor për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë. Bejtja është arrestuar për veprën penale “Moskallëzim të krimit”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





