Tiranë, 3 shtator 2014 – Thellohet edhe më tej skandali i vjedhjes në Thesarin e Shtetit. Ardian Bitraj ish-përgjegjës i arkës stok në departamentin e Emisionit, i vetmi që ka pranuar vjedhjen e 713 milionë lekëve, dispononte certifikate sigurie, të një niveli të lartë.
Bitraj ishte pajisur me certifikatë të tipit ‘C’, ose ndryshe tepër sekret, në një kohë që, sikurse ka pranuar, ishte një person që merrej me bixhoz.
Prokuroria e Tiranës po heton lidhur me këtë fakt, për të verifikuar sesi është e mundur që Bitraj, një person problematik, është pajisur me certifikatë të një niveli të tillë, e njëjtë me atë që disponon edhe kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror.
Certifikata e sigurisë jepet nga Drejtoria e Sigurimit te Informacionit te Klasifikuar (DSIK), pasi institiucione të ndryshme deri edhe shërbimi informativ shtetëror të ketë kryer verifikime të hollësishme për personin që merr këtë dokument.
Në rastin e Ardian Bitrajt, duket se institucionet nuk kanë kryer asnjë verifikim, duke i lënë në duar miliona një njeriu që luante kazino e loto sporti.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





