10 mars 2015 – Megjithëse Teuta ka pësuar një humbje që ja ndërlikon ndjeshëm pozitat në klasifikim, drejtori teknik i Teutës, Ilir Biturku, shprehet se ai beson te mbijetesa megjithëse e pranon që situata është e ndërlikuar:

“Kjo humbje në Fier e ndërlikon më shumë pozitën tonë. Kemi gabuar më shumë se Apolonia e për pasojë jemi ndëshkuar. Jemi munduar të reagojmë, por nuk mjaftoi për të kthyer situatën në favorin tonë. Sigurisht që në pozitat ku jemi duhet të shtrëngohemi fort pasi Apolonia tashmë është afruar ndjeshëm dhe ky është një rrezik i madh për ne. Kemi gabuar dy herë në pjesën e parë dhe kemi pësuar një gol nga një goditje standarde. Në pjesën e dytë ka qenë sërish një gabim i yni që u shfrytëzua mjaft mirë nga lojtari fierak që dysfishoi shifrat. Mendoj se gjykimi i kësaj ndeshjeje ishte i drejtë, përfshirë edhe kartonin e kuq që u mor nga lojtari ynë. Vijmë nga disa humbje rradhazi dhe ende nuk po e gjejmë vetveten. Megjithatë janë edhe 10 ndeshje për t’u luajtur që do të vendosin verdiktin final të këtij sezoni. Por mund tju them se pavarësisht kësaj humbjeje që na ndërlikon pozitat, ne kemi besim të plotë te mbijetesa dhe do të reagojmë për të ndryshuar këtë situatë.”

Rënia e lirë e Teutës nisi me disfatën 1-0 me Elbasanin, vijoi me rezultatet negative me Lacin, Partizanin, Skënderbeun dhe Kukësin, për të kulmuar me humbjen e fundit në Loni Papuci me Apoloninë. Në këto 6 ndeshje negative, ndër të cilat dy në Niko Dovana, Teuta ka pësuar në tota 14 gola dhe ka shënuar 5. Gjatë muajve të parë të 2015-ës, Teuta ka pësuar në total 8 takime, ndër të cilat ka arritur të fitojë vetëm një herë, pikërisht në takimin e Niko Dovanës me Vllazninë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/