Durrës, 20 mars 2014– Teuta vazhdon të kalojë javë ngërçi, dhe megjithëse prodhon lojë dhe raste shënimi nuk po gjen fitoret dhe ka humbur disi terren nga kundërshtarët e kreut. Megjithatë flitet për një skuadër që të bën optimist, pasi është e përbërë nga futbollistë cilësorë dhe situata që po kalon ekipi është e përkohshme.

“Me rifillimin e kampionatit nuk kemi marrë as gjysmat e pikëve që duhet të kishim”,- thotë trajneri Biturku. “Disa javë me rradhë jemi ndëshkuar në minutat e fundit, duke lënë pikë të rëndësishme, ndërsa tani nuk po gjejmë dot golin”.

Ndërkohë në fundjavë, Teuta do të presë në shtëpi Besën, që për Biturkun është 100% derbi, pasi do t’i drejtojë “djemtë e detit” kundër ish-ekipit të tij.

“Në këtë rast nostalgjia është në vendin e dytë, pasi ai 90 minutësh duhet fituar me doemos, së pari për hir të objektivave, por edhe të zhbllokuar skuadrën nga ana psikologjike. Një tjetër hap fals do të ishte i tepërt. Nuk jam nostalgjik, jam profesionist dhe jam i fokusuar 100% në punën time tek skuadra e Teutës. Jetoj dhe punoj në Durrës dhe kam kënaqësi që jam pjesë e këtij klubi. Do kisha zgjedhur të fitoja kundër Besës, sepse në këtë moment, Teutës i duhen patjetër 3 pikët për objektivat që ka, megjithatë do të shohim çfarë do të ndodhë në fushë. Ne do të bëjmë gjithçka për ta fituar atë sfidë”,- përfundon komentin e tij trajneri i Teutës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/