DURRËS, 16 shkurt 2015-  Pas humbjes me Elbasanin një javë më parë, Teuta ka pësuar një tjetër humbje tronditëse, këtë radhë në shtëpi ndaj kurbinasve me rezultatin e thellë 1-3. Teuta çaloi në prapavijë, pasi të tre golat erdhën për faj të mbrojtjes, e cila bëri gabime. Ngushëllimi i vetëm i "djemve të detit" është se të dy kundërshtarët: Apolonia dhe Elbasani, pësuan kumbje dhe kësisoj diferenca mes skuadrave mbetet e njëjtë. Skuadra durrsake ka patur një ecuri shumë negative përgjatë këtij sezoni dhe krizën e pranoi edhe vetë drejtori teknik i "djemve të detit" Ilir Biturku, i cili tha se, "skuadra është në krizë dhe duhet të punojmë shumë për të arritur tek rezultatet pozitive".

Skuadra e Teutës nuk ka fituar asnjë herë dy ndeshje radhazi gjatë këtij sezoni, ndryshe nga sezoni i shkuar ku luftoi deri në javët e fundit për titull kampioin. Tashmë, objektivi i vetëm i durrsakëve është të qëndrojnë në kategorin superiore edhe për sozonin e ardhshëm, por për të arritur këtë do t'u duhen të mbajnë nën vete në tabelën e klasifikimit Elbasanin dhe Apoloninë. Në fund të ndeshjes, Biturku u shpreh:

"Duhet ta pranojmë që jemi në krizë rezultatesh dhe duhet të dalim nga kjo situatë sa më shpejt që të jetë e mundur. Pësuam një tjetër humbje dhe kjo i vështirëson disi gjërat, por fatmirësisht Elbasani humbi përballë Tiranës dhe kjo na ngushëllon pak. Megjithatë, unë mendoj se përtej rezultatit skuadra luajti mirë dhe kishte shumë mundësi për ta fituar apo barazuar këtë ndeshje. Lojtarët dhanë maksimumin në fushën e lojës, por sot nuk patëm as fatin me vete. Objektivi ynë është t'i largohemi sa më shumë zonës së ftohtë dhe të qëndrojmë në Superiore për sezonin e ardhsëm. Personalisht mendoj se nuk rrezikojmë, pavarësisht këtyre dy humbjeve të papritura fillimisht në Elbasan dhe me Laçin në shtëpi. Duhet të punojmë shumë, me qëllim që të gjejmë rrugën e fitores dhe rezultateve pozitive. Tashmë nuk na ngelet gjë tjetër, por ta harrojmë sa më shpejt këtë rezultat negativ dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës".