Durrës, 10 mars 2014– Pas barazimit të fundit me Partizanin, trajneri i djemve të detit, Ilir Biturku deklaroi se është e disata herë që Teuta ndëshkohet në minutat e fundit, por kundër Partizanit sipas Biturkut durrsakët i ka penalizuar edhe gjykimi.

“Eshtë vërtet për të ardhur keq, që prej kohësh po na ndodh e njëjta gjë dhe ne ndëshkohemi në minutat e fundit, duke humbur kështu pikë shumë të rëndësishme. Mjafton të kujtoni dy pikët që lamë në Shkodër ndaj Vllaznisë, në shtëpi ndaj Skënderbeut, si edhe tani me Partizanin. Flitet për gjashtë pikë dhe tashmë do të ishim të sigurtë në objektivat tona. Por ky është futbolli, ndonjëherë nuk ia del dot nga fati i keq dhe ndonjëherë tjetër nga probleme të tjera, të cilat nuk janë në dorën tonë për t’i përmirësuar. Ky është një mendimi im personal, por dua t’ju them se edhe arbitrat po na penalizojnë. Kështu ndodhi edhe kundër Partizanit. A mund të më gjeni pse Samb duhet ta linte fushën përpara kohe duke dalë me karton të kuq? Unë vazhdoj të mendoj se ishte një vendim i pakuptimtë i arbitrit. Veç të tjerash, pavarësisht ekzekutimit perfekt të futbollistit të Partizanit, goli i miqve ka ardhur pasi kishin përfunduar pesë minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari i katërt. Për të gjitha këto ndjehem shumë keq, por si unë e gjithë skuadra, që në fushë në përgjithësi është superiore ndaj kundërshtarëve, por që nuk mundi të marrë maksimumin e pikëve. Nëse më pyesni se pse Joel nuk i fillon ndeshjet si titullar, përgjigjia është e thjeshtë: Një zgjedhje e imja taktike. Xhafaj është një personalitet, ndërsa Samb i përshtatet shumë mirë lojës së tij dhe për të gjitha këto janë ata që e meritojnë të jenë prezent që nga minuta e parë. Ndërkohë objektivat tona janë po të njëjtat, të arrijmë të përfaqësohemi në kupat e Europës, nëpërmjet kampionatit apo Kupës së Shqipërisë. Ndërsa për koret fyese nga të dy tifozerive sigurisht që nuk i mbështes. Kuptohet që ata janë shumë të rëndësishëm për ne, por do të doja vetëm mbështetje për skuadrën dhe jo fyerje ndaj kundërshtarëve”,- tha Biturku.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/