8 dhjetor 2014 –  Nisur nga fakti se trajneri në detyrë, Gentian Begeja, nuk ka marrë ende licencën UEFA Pro, ndaj deklaratat zyrtare nga Teuta vijnë nga drejtori teknik, Ilir Biturku. Ky i fundit ka theksuar faktin se luanin përballë kampionëve në fuqi, por gjithsesi nuk ka ngurruar të kritikojë ekipin, i cili kishte mundësi të dilte me pikë nga kjo ndeshje.

“Dua të them që përballë kishim Skënderbeun, skuadra kampione, dhe ne e nisëm jo mirë lojën. Skënderbeu ka lojtarë vërtet cilësorë, ndërkohë që futbollistët e mi duhet të ishin më pranë topit, por nuk e bënë këtë gjë. Pas pjesës së parë 1-0 për kampionët, u ndëshkuam edhe me dy episode të tjera, por përsëri nuk u dorëzuam. 25-30 minutat e fundit të ndeshjes rreshtuam në fushë skuadrën me skemën 4-3-3 dhe rastet qenë të shumta për ne. Nëse do të luanim që në fillim me atë lojë që zhvilluam, do të kishim marrë pikë në Korçë, por fatkeqësisht nuk arritëm ta bënim një gjë të tillë. Teuta ka si objektiv për momentin të marrë sa më shumë pikë dhe unë shpresoj që shumë shpejt do të dalim nga zona e ftohtë ku jemi”, ka thënë Biturku.