Durrës, 8 maj 2014 – Trajneri i Teutës, Ilir Biturku beson te një fundsezon i lumtur për Djemtë e Detit, të cilëve u duhet patjetër fitorja në sfidën e fundit me Vllazninë në “Loro Boriçi”, për të siguruar vendin e katërt por edhe për të shpresuar të vendi i tretë, sigurisht nëse Skënderbeu nuk humbet ndaj Laçit në Korçë.

Duket se fati i Teutës është në dorën e kampionëve në fuqi dhe në këtë këndvështrim, Biturku ka bindjen e plotë se Skënderbeu do të luajë pastër ndaj kurbinasve.

“Skënderbeu edhe ndaj Partizanit tregoi se nuk ka toleruar dhe se e meriton titullin kampion, prandaj unë them se në radhë të parë vendi i tretë është në dorën tonë, sepse duhet patjetër të fitojmë ndaj Vllaznisë",– thotë Biturku.

Trajneri i Teutës e bazon optimizmin e tij te mobilizimi i Djemve të Detit në seancat stërvitore, edhe pse jo çdo gjë është në dorën e tyre.

“Shoh një angazhim të madh të futbollistëve në stërvitje, sepse dëshirojnë të mbyllin në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin”,- vijon më tej ai.

Sipas trajnerit kavajas, pavarësisht luhatjeve që ka shfaqur skuadra durrsake gjatë gjithë sezonit, ajo e meriton pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/