Foto nga një veprimtari e PD-së për fushatën elektorale: përurimi i ekspozitës vetjake “Rilindje në Sheshin Skënderbej” e fotoreporterit Gani Xhengo (majtas), në qendër duke folur Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kryetari i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, djathtas krushku i Kryeministrit Sali Berisha, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, historian i Mesjetës dhe specialist i Bizantit, Luan Malltezi

TIRANË, 23 mars 2103 – Bizantologu Luan Malltezi bën fushatë moderne elektorale me foto të 22 marsit 1992.

Fotoreporteri Gani Xhengo, një nga dëshmitarët e ndryshimit të regjimit komunist sjell ekspozitën “Rilindje në Sheshin Skënderbej”, 22 mars 1992, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, e cila u hap më 22 mars dhe vazhdon edhe sot të vizitohet.

Ekspozita u hap nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, fotoreporterin Gani Xhengo si dhe Muzeut Historik Kombëtar.

Fotot sjellin në retrospektivë historinë e Shqipërisë gjatë regjimit komunist të para viteve 1990, rënien e diktaturës dhe fitoren e demokracisë.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi tha se kjo ekspozitë na bën të kthehemi pas, të kujtojmë sesi kemi qenë.

Bumçi shtoi se në këto foto shohim varfërinë e tejskajshme të shqiptarëve, dyqane bosh, fytyra të vrara dhe mjerim.

Shqiptarët janë kombi që ka vuajtur më shumë nga komunizmi se të gjitha vendet e tjera komuniste, një përmasë terrori e pakrahasueshme me asnjë vend tjetër.

Ka ndodhur transformim rrënjësor në këto 20 vjet në Shqipëri, bëri propagandë shefi i dikasterit të Kulturës, kryetari i PD-së së kryeqytetit, Aldo Bumçi.

Këto deklarime ministri i kabinetit të Sali Berishës i artikuloi bri autorit Gani Xhengo, si dhe krushkut të Kryeministrit, aktualisht drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, historian i Mesjetës dhe specialist i Bizantit, Luan Malltezi.

Ekspozita është pjesë e veprimtarive në fushatën elektorale të Partisë Demokratike që synon një mandat të tretë dhe fitore si më 22 mars 1992.

Në ekspozitë janë prezantuar rreth 70 foto.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/